Infantino thekson pavarësinë e FIFA-s pas ndërhyrjes së Trump

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka thënë se të gjitha vendimet disiplinore në organizatën që  e drejton merren nga organe të pavarura dhe jo nga politika apo presionet e jashtme.

FIFA është përfshirë në debat të madh pas vendimit për t’ia hequr pezullimin futbollistit amerikan Folarin Balogun, i cili më parë ishte ndëshkuar me karton të kuq në Kupën e Botës. Rasti mori vëmendje të madhe pasi presidenti amerikan Donald Trump pranoi se kishte kontaktuar Infantino për të kërkuar rishikim të kartonit të kuq ndaj Balogun, i cili ishte dhënë në ndeshjen kundër Bosnje-Hercegovinës. Pas këtij rishikimi, FIFA vendosi ta pezullojë kartonin, duke i lejuar lojtarit të marrë pjesë në ndeshjen e radhës.

Ky vendim është kritikuar nga disa trajnerë të futbollit evropian. Trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, ka thënë se vendimi ishte i pabesueshëm, ndërsa trajneri i Norvegjisë Stale Solbakken e ka quajtur gabim të madh.

FIFA ndërkohë ka deklaruar se proceset disiplinore mbeten të pavarura dhe se vendimet merren vetëm nga organet përkatëse, sipas rregullave të organizatës.

Infantino ka theksuar se, megjithëse i dëgjon mendimet e ndryshme, vendimet e FIFA-s merren nga organet e saj të pavarura dhe respektohen plotësisht.

“Unë rregullisht diskutoj çështje që lidhen me Kupën e Botës me Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe kam marrë një telefonatë nga Presidenti Donald Trump”, është shprehur ai. “Shpjegova se ishte një proces ligjor i hapur brenda organeve të pavarura të FIFA-s dhe se rasti do të vendosej nga organet kompetente”. 


Go to TOP