Krimi si shtet: Si e përdor Vuçiq grupin e Radoiçiqit për të sunduar
Shkruan: Agim MUSLIU
Më 28 qershor 2025, Aleksandar Vuçiq edhe një herë shfrytëzoi grupe kriminale dhe terroriste, të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe bashkëpunëtorët e tyre, për të ushtruar dhunë ndaj studentëve protestues në Beograd.
Ky veprim nxjerr në pah natyrën autoritare të regjimit të Vuçiqit, një pushtet që mbahet përmes frikës, dhunës dhe kontrollit nga grupe terroriste dhe grupe të krimit të organizuar.
Milan Radoiçiq, i cili duhet të ishte në Kosovë duke u gjykuar për terrorizëm dhe krime të tjera të rënda, sot mbron regjimin e Vuçiqit dhe perandorinë e tij kriminale kundër qytetarëve të vet, një paradoks tronditës për një shtet që pretendon integrim në Bashkimin Evropian.
Vuçiq e sulmoi Kosovën me grupin terrorist të Radoiçiqit; sot, me të njëjtin grup, po sulmon studentët në Serbi dhe po e mirëmban atë për sulme të tjera, ku dhe kurdo që i duhet.
Kjo situatë është alarmante. Përveçse përbën një shkelje të rëndë të standardeve demokratike, ajo rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm për tërë rajonin, duke u ofruar udhëheqësve autoritarë një model të dhunshëm për ruajtjen e pushtetit.
Është e papranueshme që në zemër të Evropës, në vitin 2025, të tolerohet bashkëpunimi i një qeverie me elemente terroriste dhe krimin e organizuar për të shtypur zërin e qytetarëve dhe për të sulmuar shtete të tjera. Kjo është një goditje e rëndë ndaj parimeve të lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit – jo vetëm në Serbi, por në tërë Ballkanin Perëndimor.
Bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë me shpejtësi. Heshtja sot inkurajon edhe më tej regjmin e Vuçiqit dhe falangat e tij kriminale.
Video te personave te identifikuar nga grupi terrorist i Radoiçiq-it:
