Krimi që s’po shuhet: Mijëra vjedhje e mbi 130 grabitje ndodhën gjatë këtij viti

Një nga problematikat më të shpeshta me të cilat janë përballur qytetarët, por edhe institucionet në vitet e fundit janë padyshim grabitjet dhe vjedhjet.

Të rrezikuar në shtëpi, në lokale por edhe në vendet e punës kanë qenë thuajse në çdo moment.

Vjedhje të rënda, e grabitje të shumta nën kërcënimin e armëve janë raportuar thuajse çdo javë e me raste edhe çdo ditë.

Për t’i parandaluar ato shpesh herë Policia e Kosovës krijoi edhe grupe të veçanta të zyrtarëve policorë të cilët funksionin vetëm për këtë çështje.

Por pavarësisht se shumë prej të dyshuarve për grabitje dhe vjedhje të rënda arrestoheshin, rastet vazhdonin të ndodhnin.

E padyshim se nga grabitjet më të rrezikshme ishin ato të cilat ndodhën në rajonin në mes Prishtinës dhe Gjilanit, saktësisht tek Liqeni i Badovcit.

Sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit në pothuajse të njëjtin vend grabitësit arritën të merrnin një shifër të lartë të parave nga ata që po bartnin paratë e një prej bankave komerciale në Kosovë.

Mijëra euro u grabitën në këtë rast, e nga Policia e Kosovë është arrestuar njëri nga të dyshuarit. E një grabitje tejet e rrezikshme ishte kryer edhe në Prizren para pak muajve. Të dyshuarit ishin futur në një prej lokaleve të arit, ku edhe kishin shtënë me armë në drejtim të pronarëve të cilët përfunduan në mjekim spitalor.

E lidhur me këtë zyrtarët policorë arritën të arrestonin të dyshuarit, e lajmin për këtë e pati bërë të ditur vetë kryeministri, Albin Kurti.

E me fatalitet përfundoi një grabitje e një dyqani në Mitrovicë hiç më larg se tri ditë para vitit të ri.

Në një përgjigje të dhënë nga Policia e Kosovës është bërë e ditur se brenda vitit 2021, saktësisht 10 mujorit të këtij viti janë raportuar 138 raste të grabitjeve.

“Janar-tetor 2021 janë raportuar 138 raste të grabitjeve”.

Duke mos dashur të japin detaje shtesë, nga Policia e Kosovës është theksuar në periudhën 9 mujore të 2021 janë raportuar 3 mijë e 148 vjedhje.

Tri rajonet në të cilat pati më tepër vjedhje të rënda dhe grabitje përgjatë këtij viti ishin: Prishtina, Gjilani dhe Peja.

Në nëntë mujorin e parë të vitit 2020 ishin raportuar gjithsej 118 grabitje .

Madje nga Policia e Kosovës patën deklaruar se në vitin 2020 kishte pasur rënie të numrit të vjedhjeve dhe grabitjeve.

Por situata doli të jetë mjaftë e rëndë përgjatë vitit që lamë pas, saktësisht më 2021.

Përgjatë tentimit të grabitjeve shpesh herë pati edhe persona të lënduar. Grabitjet më të shpeshta të cilat janë raportuar ishin në pompa të derivateve, lokale të ndryshme në mesin e tyre ato të argjendarive , në filiale bankare si dhe nëpër shtëpi të shumta.

Si pasojë e këtyre grabitjeve shpesh herë qytetarët kanë reduktuar orarin e punës, ose janë detyruar që në vendin e punës të lënë më shumë se një person.

E grabitjet me armë nuk kanë munguar edhe në pikë të ditës, ku shpesh herë viktima të kërcënimit me armë ishin edhe femra të cilat punonin në ndonjë prej marketeve në Kosovë.

Lidhur me grabitjet Policia e Kosovës në fillim të muajit korrik të këtij viti kishte arritur të identifikonte njërin prej grupeve më të rrezikshme në Kosovë.

Të njëjtit dyshohet të kenë kryer qindra grabitje, nën kërcënimin e armëve.

Të dyshuarit nga këto grabitje kishin arritur të përvetësonin para, gjëra të vlefshme si mbathje dhe veshje, pajisje të kriptovalutave e deri tek veturat luksoze.

Nga ky aksion policor i cili zgjati mjaftë shumtë, të dyshuarit vazhdojnë të jenë në paraburgim derisa seancat gjyqësore janë shtyrë nga njëra tek tjetra shpesh herë për mungesë të pranisë së tyre në sallën e gjykatave.

Go to TOP