Krasniqi: Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK mund të prodhojë dy qendra pushteti brenda partisë

Gazetari i karrierës dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Ilir Krasniqi, në një prononcim për Kosova.info ka komentuar rikthimin e Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës duke vlerësuar se një lëvizje e tillë mund të ketë peshë elektorale, por njëkohësisht edhe sfida serioze brenda strukturës së partisë.

Sipas tij, rikthimi i Osmanit po shihet si një shpresë e lidershipit për zgjedhjet e ardhshme, mirëpo ka ngjallur reagime që, ndonëse individuale, bartin peshë politike.

“Aktualisht duket si një lëvizje me peshë elektorale, por edhe me sfida të ndjeshme brenda strukturës së partisë. Në vend të reformave të thella mbi baza parimore, theksi po vihet edhe te çështja e posteve”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka kujtuar se pikërisht ndarja e posteve ka qenë një nga arsyet kryesore të tensioneve të brendshme në LDK për më shumë se një dekadë.

“Përjashtimi dhe rikthimi pa dyshim që do të ketë një kosto politike dhe mund të provokojë rezistencë të heshtur, pasi ata që kontribuan ndër vite mund ta shohin këtë si humbje personale apo politike”, është shprehur ai.

Krasniqi vlerëson se tashmë po shihet një rirreshtim i ri brenda subjektit, ndërsa shton se deri më tani nuk është vërejtur një menaxhim i kujdesshëm i balancave, sidomos në strukturat e degëve të partisë.

“Veprimet ‘largo e kthe’, jo vetëm në rastin e Osmanit, tregojnë mungesë vizioni dhe gatishmëri për kompromis me gjithçka vetëm për të qëndruar në lojë politike”, tha ai.

Sipas tij, një pjesë e madhe e anëtarësisë së LDK-së vazhdon të jetë e lidhur me frymën rugoviane, e cila përmendet shpesh në diskursin politik, por që në praktikë, sipas tij, nuk po ruhet në mënyrën e duhur.

Ai rikujtoi gjithashtu se në dy palë zgjedhjet e fundit, humbja e LDK-së vetëm sa është thelluar duke shtuar se politika e bazuar në “mbijetesë” prodhon vetëm zgjidhje afatshkurtra.

“Ndarja e paracaktuar e posteve ka ngushtuar hapësirën për garë të brendshme dhe për premtime ndaj partnerëve të mundshëm të koalicionit. Në formën aktuale ekziston më shumë rreziku i krijimit të dy qendrave të pushtetit brenda një partie, sesa një fitore që siguron postin e kryeministrit dhe presidentit në çfarëdo formule të ardhshme koalicioni”, përfundoi Krasniqi. /Kosova.info/


Go to TOP