Krasniqi: Qeveria Kurti po dështon të garantojë siguri energjetike – qytetarët përballen me çmime të larta dhe kërcënim me reduktime

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër pas paralajmërimit të fundit nga kompania KESCO se konsumi i brendshëm i energjisë në Kosovë do të mbulohet tërësisht nga importi. Ai e ka cilësuar këtë situatë si një tregues alarmues të krizës energjetike dhe si pasojë direkte të, siç tha ai, dështimit të Qeverisë Kurti për të garantuar siguri energjetike për vendin.

“Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dhe infrastrukturë ekzistuese për prodhim vendor, por sot qytetarët, përveç se po përballen me çmime marramendëse të energjisë, po përballen edhe me pasiguri dhe kërcënim me reduktime të furnizimit, pa asnjë transparencë”, deklaroi Krasniqi.

Ai theksoi se është hera e parë që prej përfundimit të luftës që vendi nuk ka asnjë prodhim të energjisë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) duke ngritur dyshime të forta për qëllime të errëta pas kësaj gjendjeje.

Në emër të interesit publik, Krasniqi ka kërkuar sqarime të menjëhershme nga Qeveria në largim duke parashtruar disa pyetje direkte:

Pse KEK-u nuk po arrin të prodhojë energji?

Cilat janë arsyet e degradimit të kësaj ndërmarrjeje strategjike?

A është kjo gjendje pasojë e sabotimit të qëllimshëm ndaj KEK-ut?

A kanë dorë mafia energjetike dhe sekserët e tregtisë me energji për gjendjen aktuale?

Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë të rëndë?

Krasniqi përfundoi reagimin e tij duke theksuar se energjia është çështje e sigurisë kombëtare dhe se kjo krizë kërkon veprime urgjente, jo arsyetime.

“Qeveria duhet të japë llogari para qytetarëve dhe të ndërmarrë masa të menjëhershme për të ndalur degradimin e sistemit energjetik”, përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP