Krasniqi për Vokrrin: Na frymëzoi përmes shembullit – se e pamundura është vetëm një fjalë dhe asgjë më shumë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kujtuar Fadil Vokrrin në 6-vjetorin e vdekjes së tij.

Ai ka thënë se Vokrri ka frymëzuar përmes shembullit se e pamundura është vetëm një fjalë dhe asgjë më shumë.

“Fadil Vokrrin, si shumica e moshatarëve të mi, fillimisht e kam pasur idol, nga koha kur babai më merrte në stadium për të shikuar KF Prishtinën. Magjia e tij në fushë, të madh e të vogël na bënte të ëndërrojmë! Të paktën për 90 minuta, dhjetëra mijëra tifozë ndjeheshim të paprekshëm e të fuqishëm”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

“Fadili na frymëzoi përmes shembullit – se e pamundura është vetëm një fjalë dhe asgjë më shumë. Fati im i mirë deshi që më vonë Fadilin ta kem një prej miqve të mirë e bashkëpunëtorëve më të shquar”.

“Shumë vite pasi ishte ndezur flaka e rezistencës sportive në fushën e blertë, pata nderin e jashtëzakonshëm jetësor që krah për krah me Fadilin, të punojmë fort për ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar, që kulmoi me anëtarësimin në UEFA dhe FIFA”.

“Ikja e tij e hershme 6 vite më parë, ka lënë një zbrazëtirë të madhe tek të gjithë që e njohëm dhe është akoma vështirë e pranueshme. Pa dyshim, futbolli i Kosovës ka humbur më së shumti nga mungesa e tij. Do të t’kujtoj gjithmonë për mirësinë, bujarinë dhe përkushtimin tënd të pashoq, Fadil – kumbara i futbollit të Kosovës. Shpirti yt jeton me ne në çdo gol të shënuar të kombëtares sonë, në çdo ndeshje të luajtur dhe në çdo zemër që ke frymëzuar”.

Go to TOP