Krasniqi: PDK-ja ka të bëjë me atë që mund të ndërtojmë kur bashkohemi, drejt një ëndrre për një Kosovë më të mirë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në Konventën e kësaj partie, tha se ata janë të pathyeshëm si parti, janë testament i qëndrueshmërisë dhe i guximit, por edhe i adaptimit dhe i ndryshimit për të mirën e vendit.
Tutje, Krasniqi shton se kjo Konventë ka të bëjë me atë që mund ta ndërtojnë kur bashkohen, drejt një misioni, drejt një vizioni, drejt një ëndrre për një Kosovë më të mirë.
“Kjo është PDK-ja që e njoh, kjo është PDK-ja në të cilën unë jam rritur, është frymëzuese, e shoh në numër kaq të madh, por është edhe një krenari e jashtëzakonshme, sepse po e ndiej, përveç energjisë dhe pasionit e keni mbushur sallën edhe me një qëllim, sepse ky takim, ky bashkim i yni sonte nuk ka të bëjë vetëm me ne si individ, kjo konventë ka të bëjë me atë që mund ta ndërtojmë kur bashkohemi, drejt një misioni, drejt një vizioni, drejt një ëndrre për një Kosovë më të mirë”, u shpreh i pari i PDK-së.
“E dimë se jemi sulmuar si nga brenda ashtu dhe jashtë, pamëshirshëm, e dimë se asnjë parti tjetër pos PDK-së do të iu mbijetonte këtyre furtunave, sidoqoftë ja ku jemi sonte, me mijëra të mbledhur në një vend, brenda dhe jashtë kësaj salle, më të fortë, më të gatshëm dhe më të vendosur për fitore të reja”.
“E dimë se Partia Demokratike e Kosovës është e pathyeshme, partia jonë është testament i qëndrueshmërisë dhe i guximit, por edhe i adaptimit dhe i ndryshimit për të mirën e vendit, është testament i punës, i sukseseve dhe për këtë dëshmojnë të arriturat historike të vendit tonë të cilat e bartin vulën e PDK-së”, tha Krasniqi.
Tutje, Krasniqi shtoi se PDK-ja po e nis një epokë të re me natën e sotme, drejt një Kosove më të ndritshme.