Krasniqi nga Haga: Drejtësia për çlirimtarët po afrohet, dielli do të lind përsëri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, gjatë një vizite të radhës në Hagë, është takuar me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët prej afro pesë vitesh po mbahen në paraburgim në kuadër të procesit gjyqësor të Speciales.

Krasniqi ka theksuar se edhe këtë herë e ka ndjerë “të gjallë bindjen e palëkundur” të tyre se drejtësia për çlirimtarët është duke u afruar. Ai e ka cilësuar të padrejtë dhe të tejzgjatur procesin duke rikujtuar se Thaçi dhe Veseli “bartën mbi supet e tyre vetëm atë që populli kërkoi: luftën për liri”, e cila, sipas tij, “asnjëherë dhe askund nuk është as mëkat e as faj”.

Ai ka bërë të ditur se të dy janë mirë, optimistë dhe dërgojnë përshëndetje për qytetarët e Kosovës duke mbetur të lidhur shpirtërisht me vendin dhe duke ndarë emocionet me popullin për çdo zhvillim.

“Koha do ta nxjerrë të vërtetën në dritë dhe drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë mbi çdo padrejtësi. Në fjalët e Presidentit Thaçi: Dielli do të lind përsëri!”, ka theksuar Krasniqi. /Kosova.info/


Go to TOP