Krasniqi: Mandatet duhet t’i kthehen popullit, partitë të dakordohen për reforma para zgjedhjeve
Albert Krasniqi nga organizata Demokracia Plus ka deklaruar se, gjashtë muaj pas zgjedhjeve, fakti që asnjë parti nuk ka arritur të krijojë një shumicë parlamentare, e bën të domosdoshme kthimin e mandateve te qytetarët. Megjithatë, ai thekson se para se vendi të shkojë në zgjedhje të reja, partitë politike duhet të bien dakord mbi disa çështje themelore për të shmangur bllokadat dhe për të garantuar funksionalitetin institucional.
Krasniqi ka renditur pesë pika kryesore:
1. Konstituivi i Kuvendit – të zgjidhet një kandidat konsensual për Kryetar të Kuvendit, që nuk vjen nga partitë kryesore politike.
2. Ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – të mundësohet garë me më shumë kandidatë dhe sistem me dy raunde, sipas modeleve të Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut.
3. Zgjedhja e Presidentit nga populli – sipas Krasniqit, votimi i drejtpërdrejtë do të rriste stabilitetin institucional dhe do ta lehtësonte procesin e formimit të koalicioneve paszgjedhore.
4. Ndryshime në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme – të reduktohet numri i votave preferenciale nga 10 në 3, të rikthehet numërimi i votave në vendvotime dhe të adresohen problemet e krijuara nga ndryshimet e fundit.
5. Opsionalisht, reformimi i zgjedhjeve lokale – të shqyrtohet mundësia që zgjedhjet për kryetarë komunash të zhvillohen në një raund të vetëm (fiton kandidati i renditur i pari) dhe të ulet numri i nënshkrimeve për shkarkimin e tyre.
Sipas tij, një marrëveshje e tillë politike do të garantonte stabilitet më të madh institucional dhe do të shmangte përsëritjen e krizave politike që po bllokojnë funksionimin e institucioneve. /Kosova.info/
