Krasniqi: Indiferenca ndaj Gjykatës Speciale rrezikon delegjitimimin e Kosovës
Profesori dhe publicisti Milazim Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve në Gjykatën Speciale, duke e cilësuar atë si një proces absurd që mund të çojë në delegjitimimin, madje edhe në shpërbërjen e shtetit të Kosovës.
Në një postim publik, Krasniqi thekson se një shqiptar i Kosovës, i cili në mëngjes sheh në bankën e të akuzuarve ata që shpallën pavarësinë e vendit, nuk mund të mbetet indiferent. Ai e krahason procesin me dramat e absurdit, ku mungojnë veprimet logjike dhe ku vetë drejtësia vihet në dyshim, duke përmendur përkthimet me gabime dhe rolet e përmbysura të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Sipas Krasniqit, çdo qytetar që e kupton seriozitetin e situatës duhet të jetë i alarmuar, përveç nëse ai vetë beson se shteti i Kosovës është një aksident apo një realitet i përkohshëm. Ai e cilëson indiferencën ndaj kësaj “mujsharie” si një qëndrim që i afrohet pranimit të një narrative që mohon shtetin e Kosovës si realizim të një ideali kombëtar.
“Ideali mbrohet,” përfundon ai. /Kosova.info/
