Krasniqi: Çdo thirrje për ndërrim të fesë është shkelje kushtetuese dhe duhet të ndiqet penalisht
Profesori dhe opinionisti Milazim Krasniqi ka reaguar ashpër lidhur me thirrjet publike për ndërrimin e fesë duke theksuar se një veprim i tillë përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe duhet të ndiqet penalisht nga organet kompetente.
Ai i referohet Neni 38 të Kushtetutës së Kosovës, i cili garanton lirinë e besimit, ndërgjegjes dhe fesë. Ky nen parasheh se secili qytetar ka të drejtë të pranojë apo të refuzojë një fe, të mos detyrohet në praktikimin e saj, si dhe të mos ushtrojë presion mbi të tjerët në çfarëdo forme.
“Kushdo që bën thirrje për ndërrimin e fesë, bën shkeljen e këtij neni të Kushtetutës së Kosovës dhe duhet të ndiqet penalisht,” ka deklaruar Krasniqi duke rikujtuar se liria e secilit individ për të besuar apo mosbesuar është e garantuar dhe e pacenueshme.
Sipas tij, çdo veprim që synon detyrimin, nxitjen ose shantazhimin e dikujt për të braktisur fenë apo për të përqafuar një tjetër, bie ndesh me parimet themelore të rendit kushtetues dhe me standardet e të drejtave të njeriut.
Neni 38, përveçse mbron lirinë e manifestimit të fesë, njeh edhe kufizime vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur kjo është e domosdoshme për sigurinë publike, rendin, shëndetin ose të drejtat e të tjerëve. /Kosova.info/
