Krasniqi: Ali Sadriu, njeri i qetë dhe i ndershëm në vitet më të rënda për Kosovën

Publicisti Milazim Krasniqi ka ndarë një dëshmi personale dhe politike për Ali Sadriun duke e kujtuar si një veprimtar të përkushtuar, të ndershëm dhe të guximshëm në periudhat më të vështira të Kosovës, veçanërisht gjatë viteve ’90 dhe luftës.

Krasniqi thekson se Ali Sadriun e ka njohur prej kohësh, fillimisht në Fakultetin e Mjekësisë, ku kanë punuar bashkë, ndërsa lidhjet janë forcuar më tej në kuadër të aktiviteteve politike për pavarësinë e Kosovës. Ai kujton se oda e familjes Sadriu në Shtime ka qenë e hapur për veprimtaritë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku mbaheshin edhe takime të aktivistëve të degës lokale të LDK-së.

Gjatë vitit 1998, në kohën e sulmeve brutale të forcave serbe mbi Shtimen, Krasniqi tregon se ka bashkëpunuar ngushtë me Ali Sadriun për organizimin dhe mbrojtjen e popullsisë civile. Me rekomandim të presidentit historik Ibrahim Rugova, ai dhe Fadil Hysaj kishin shkuar në terren për t’u informuar nga afër mbi situatën dhe organizimin. Sipas tij, Ali Sadriu ishte vazhdimisht në zyrë duke organizuar njerëzit dhe duke marrë përgjegjësi konkrete në kushte rreziku të drejtpërdrejtë për jetën.

Ai kujton edhe një takim të madh në fshatin Petrovë, ku u diskutuan format e organizimit, rezistencës dhe bashkërendimit me faktorët e tjerë në terren, në një kohë kur, siç thotë Krasniqi, kishte hutim dhe pasiguri te shumë njerëz. Në atë takim, u dhanë udhëzime që të ndihmoheshin njësitet e UÇK-së dhe të mos u bëhej asnjë pengesë.

Pas masakrës së Reçakut, Ali Sadriu ishte i angazhuar edhe në organizimin e varrimit të viktimave, një detyrë e rëndë dhe e ndjeshme, por që, sipas Krasniqit, ai e kreu me qetësi, durim dhe vullnet të mirë.

“E kam njohur në vitet më të rënda, kur veprimi politik ishte me rrezik direkt për jetën. Ai nuk u ndal asnjëherë dhe ishte gjithmonë në krye të obligimeve si kryetar i Degës së LDK-së në Shtime”, shprehet Krasniqi.

Edhe pse pas vitit 2000 nuk e ka përcjellë nga afër veprimtarinë e tij politike dhe menaxheriale, ai thekson se gjithmonë ka pasur bindje të plotë në ndershmërinë e Ali Sadriut duke e cilësuar atë si një besimtar të devotshëm dhe njeri me vlera të larta morale.

Në fund, Krasniqi i shpreh ngushëllime familjes Sadriu duke uruar që Zoti ta mëshirojë Ali Sadriun dhe t’ia shtojë durimin familjes së tij të nderuar e atdhetare. /Kosova.info/


Go to TOP