KQZ tregon numrin e subjekteve politike që plotësuan formularin për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme

Deri më sot, e diel, 30 nëntor 2025, ora 18:00, gjashtëmbëdhjetë subjekte politike kanë plotësuar formularin e certifikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Mes tyre janë dy koalicione:

Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)

Koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga Demokratska Stranka Boshnjaka (DSB), Boshnjaçka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV)

Partitë që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë: LDK, PDK, Kosovaki Nevi Romani Partia, Jedinstvena Goranska Partija, Za Slobodu Pravdu i Opstanak, KDTP, Partia Liberale Egjiptiane, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Socialdemokratska Unija – SDU, Lista Serbe, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Fjala, Nova Demokratska Stranka – NDS dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK).

Afati për subjektet politike që të njoftojnë KQZ-në nëse nuk dëshirojnë të certifikohen për zgjedhje përfundon po sot, 30 nëntor. Ndërsa, dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet që mbahen më 28 dhjetor 2025 do të jetë i hapur deri më 7 dhjetor 2025 përmes platformës së KQZ-së.

Kujtojmë se sonte në ora 23:59 përfundojnë afatet e periudhave të ndryshme për subjektet politike lidhur me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP