Kastrati: Edhe të vdekurit në Mitrovicën e Veriut detyroheshin të varroseshin në Jug

Gazetari i karrierës, Zejdush Kastrati ka sjellë një rrëfim personal nga viti 2010, ku tregon për vështirësitë dhe padrejtësitë me të cilat përballeshin shqiptarët në Mitrovicën e Veriut para se të merreshin masat aktuale shtetërore në këtë pjesë të vendit.

Ai kujton rastin e një familjeje shqiptare (Nallbani), kryefamiljari i së cilës kishte ndërruar jetë në veri, por nuk ishte lejuar të varrosej në lagjen ku kishte jetuar gjithë jetën, për shkak të presioneve dhe dhunës së strukturave paralele serbe. Sipas tij, kufoma u dërgua për varrim në Jugun e Mitrovicës, nën përcjelljen e tri veturave të Policisë së Kosovës dhe tri veturave civile pa targa kosovare.

“Nuk mund ta përshkruaj atmosferën e dhimbjes, tmerrit dhe zhgënjimit. Edhe të vdekurit detyroheshin të varroseshin vetëm në Jug të Mitrovicës. Kjo ishte gjendja e shqiptarëve të Veriut gjatë qeverisjeve të kaluara, ku përveç matrapazëve dhe grupeve kriminale që bashkëjetonin me serbët për kontrabandë, drogë e prostitucion, qytetarët e thjeshtë jetonin nën pastrim etnik të dirigjuar nga Beogradi”, ka shkruar ai.

Kastrati ka theksuar se vetëm me qeverinë Kurti 2 janë bërë ndryshime reale në veri, për të cilat, sipas tij, kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, u takon mirënjohje.

“Respekt për ministrin Sveçla, sepse edhe ‘arroganca’ e tij solli ndryshime pozitive. Kosova mbrohet edhe në Veri, jo nëpër fotele e me këngë patriotike nëpër oda. Qeveria Kurti 2 ka qenë e vetmja që solli ndryshime pozitive dhe e mbrojti veriun”, ka përfunduar Kastrati. /Kosova.info/


Go to TOP