​KosovaJob feston 13-vjetorin

Platforma për punësim në Kosovë, KosovaJob, sot festoi 13-vjetorin e themelimit. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin përfaqësues të bizneseve, partnerë afatgjatë dhe profesionistë të fushës së burimeve njerëzore. Në fjalën e tij, Shkamb Kërleshi, drejtor komercial i KosovaJob, kujtoi fillimet modeste të platformës dhe theksoi se sot ajo është bërë pikë referimi në tregun e punës në Kosovë.

“13 vite KosovaJob… në fillim i kemi pasur do zyre të vogla me një banesë, por vlen të ceket n’qendër. S’kemi pas staf, vetëm një ide të Arionit edhe shumë inat me gjendjen në treg. Po sot, po i shohim rezultatet”, tha ai.

Në këto 13 vite, KosovaJob ka arritur të bashkëpunojë me më shumë se 4 mijë kompani, ka publikuar mbi 64 mijë shpallje pune dhe ka regjistruar mbi 46 milionë vizitorë në platformë.

Përveç shpalljeve të punës, platforma ka sjellë edhe iniciativa si “Power ToHR” dhe “Dark Side of HR”, që synojnë fuqizimin dhe rrjetëzimin e profesionistëve të HR-it në vend.

Ndërkohë, risia më e fundit – aplikacioni i ri mobil KosovaJob është prezantuar si një hap i madh drejt digjitalizimit të rekrutimit. Aplikacioni mundëson menaxhimin e shpalljeve, komunikimin e drejtpërdrejtë me kandidatë dhe qasje të shpejtë në CV-të, si për punëkërkuesit ashtu edhe për bizneset.

“Nuk do të jetë vetëm aplikacion, por nivel i ri i rekrutimit. Tash jemi këtu me pi bashkë, me festua, edhe me u kënaq pak pa e përmend ‘afatin e aplikimit’. Edhe mos harroni, punëtorët i gjeni tek ne, e atmosferën e gjeni këtu!”, përfundoi Kërleshi

KosovaJob mbetet një aktor kyç në zhvillimin e tregut të punës në Kosovë, me synim të qartë për të lidhur më mirë punëkërkuesit dhe punëdhënësit përmes teknologjisë dhe bashkëpunimit.

Go to TOP