KosovaTop Lajmi

Kosova vendi i vetëm në Ballkan, që ende s`ka liberalizim të vizave

Mungesa e liberalizimit të vizave po cenon një ndër të drejtat elementare të njeriut, siç është lëvizja e lirë.

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, që nuk ka ende liberalizim të vizave, pavarësisht përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian. 

Shume qytetarë vazhdojnë të presin në radhë para ambasadave, për të aplikuar për një vizë. Kjo për shkak se ambasadat e vendeve të Bashkimit Evropian që janë në Kosovë, përfshirë ato të zonës Shengen, vazhdojnë të japin viza udhëtimi për qytetarët që synojnë bashkimin familjar, për biznese, për punë, viza për studentë, turistike dhe për raste të caktuara urgjente.

Megjithatë qytetarët ankohen për procedura të shumta dhe shpenzime të mëdha për t’u pajisur me një vizë.

Derisa të tjerë thonë se për shkak të procedurave të ndërlikuara, kanë hequr dorë nga aplikimi.

‘’Jo, nuk aplikoj për vizë, sepse gjysma e rrogës të shkon për t’u pajisur me një vizë, dhe pastaj me çka të shkoj deri në shtetet e Bashkimit Evropian’’?

‘’Të them të drejtën një herë kam aplikuar për vizë dhe më kanë refuzuar, ka qenë mision i dështuar qysh në hapat e parë, edhe më nuk kam aplikuar asnjëherë.’’

‘’Tarifat e vizës janë shumë të shtrenjta. Mandej shtetet e ndryshme kanë kërkesa të ndryshme, për shembull: kam aplikuar në Ambasadën e Belgjikës, dhe dokumentet që më janë kërkuar, as gjykatat nuk t’i kërkojnë, e që është e pakapshme për mua.’’

Për procesin e liberalizimit të vizave, më 12 nëntor, anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës kanë mbajtur një takim me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jorn Rohde.

Kryetari i këtij komisioni, Haki Abazi, pas takimit është shprehur për media se diskutimi me ambasadorin Rohde ishte i ndarë në disa fusha duke nisur nga liberalizimi i vizave, dialogu dhe bashkëpunimi i ndërsjellët i të dyja shteteve.

Për sa i përket vizave, Abazi thotë se ambasadori gjerman ka thënë se përkushtimi i Gjermanisë është që ky proces të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Liberalizimi i vizave Kosovës i është premtuar që nga viti 2011. Ndërkaq, në vitin 2018 Komisioni Evropian ka konsideruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ia ka rekomanduar shteteve anëtare të BE-së heqjen e regjimit të vizave. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Shfaq më shumë
//mauchopt.net/4/3473483