Gërvalla: Forcimi i drejtësisë është çelësi për rritjen e investimeve në Kosovë
Ushtruesja e detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka pritur në takim një delegacion amerikan të kryesuar nga Robert “Bobby” Kasprzak, së bashku me Roy Miller dhe Theodore Robert Maloney.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e sundimit të ligjit, reformave në drejtësi dhe rolit të institucioneve në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Gërvalla theksoi se një sistem drejtësie efikas, profesional dhe me integritet është shtyllë e një shteti demokratik duke krijuar siguri juridike për qytetarët, bizneset dhe investitorët ndërkombëtarë.
Ajo nënvizoi se reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimi i transparencës dhe llogaridhënies institucionale mbeten prioritete të Kosova për të garantuar zbatim të barabartë të ligjit.
Sipas Gërvallës, Kosova ofron mundësi të rëndësishme për partneritete dhe investime afatgjata falë fuqisë së re punëtore, orientimit euroatlantik dhe zhvillimit të sektorëve me potencial të lartë duke shtuar se institucionet mbeten të përkushtuara në krijimin e një klime sa më të favorshme për investime përmes reformave dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. /Kosova.info/
