Kosova, ndër shtetet e para që do ta zbatojë app-in ukrainas për e-qeverisje

Kosova do të jetë në mesin e vendeve të para që të do zbatojë aplikacionin ukrainas të e-qeverisjes “Diia” me mbështetjen e USAID-it.

Kështu ka deklaruar administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power gjatë prezantimit të këtij aplikacioni në kryeqytetin amerikan, Washington DC.

Në janar të këtij viti, Power njoftoi se ShBA-ja do të mbështesë vendet partnere për zbatimin e “Diia”-s.

“Ne jemi të përkushtuar të ndihmojmë partnerët tanë të gjejnë mënyra për të bërë përparim në infrastrukturën publike digjitale. Jam e emocionuar që USAID-i do të punojë me Kolumbinë, me Kosovën dhe me Zambinë, si fillim, për të eksploruar bashkëpunimet për çdo gjë – nga përmirësimi i sistemeve të tyre aktuale, deri te zhvillimi i shërbimeve të reja digjitale për qytetarët, deri te ndërtimi i platformave inovative dhe të lehta për t’u përdorur”, deklaroi Power gjatë prezantimit të “Diia”-s.

Administratorja e USAID-it tregoi se si “Diia” u bë platforma transformuese që është sot dhe ku mund të shkojë nga këtu.

“Imagjinoni, dhe për amerikanët në këtë dhomë, kjo fatkeqësisht do të tingëllojë si një fantazi: imagjinoni që pothuajse gjithçka që ju nevojitet nga qeveria juaj, mund të merrni me prekje të thjeshta në telefonin ose shfletuesin tuaj. Dëshironi të përdorni pasaportën tuaj për të kaluar kufirin? Dëshironi të aplikoni për leje ndërtimi? Dëshironi të regjistroni një fëmijë të ri, apo një biznes të ri? Ju mund t’i bëni të gjitha këto në ‘Diia’”.

“Imagjinoni të eliminoni radhët e pafundme nën dritat fluoreshente në zyrat qeveritare, pirgjet e dokumenteve që ju bëjnë të njëjtat pyetje që ju jeni përgjigjur qindra herë më parë. Pritja e pafundme që dokumentet të lëvizin nëpër makinerinë burokratike. Sa më shumë t’i reduktojmë këto dhimbje koke, aq më shumë e ndërtojmë atë besim themelor, se qeveritë demokratike janë të afta të plotësojnë nevojat e njerëzve të tyre”, tha ndër të tjera Power.

Platformat si “Diia”, tha ajo, gjithashtu zvogëlojnë mundësitë për korrupsion sepse të kesh procese të standardizuara dhe një regjistrim të dukshëm e transparent të gjobave që paguan si qytetar, tarifave që duhet të paguash, pagesave që merr – të gjitha këto, tha Power, u heqin mundësi zyrtarëve për të marrë para nën tavolinë.

Ajo shtoi se platformat e qeverisjes digjitale gjithashtu ndihmojnë qeveritë t’i përgjigjen shpejt krizave në zhvillim, siç ka qenë rasti me popullin e Ukrainës gjatë luftës.

“Gjatë këtij viti të kaluar, ‘Diia’ ka qenë një mjet shpëtimi për popullin ukrainas, duke ofruar gjithçka nga pagesat cash për personat e zhvendosur brenda vendit, deri te një mënyrë e thjeshtë për njerëzit që të raportojnë dëmet nga sulmet me raketa të Putinit. Pra, ‘Diia’ në fakt na ka treguar se çfarë është e mundur në e-Qeverisje – na ka treguar të gjithëve, në mbarë botën. Por ka treguar gjithashtu se çfarë duhet bërë për të arritur në këtë vend. Sepse fakti është, kur keni të bëni me teknologji që është kaq thelbësore për jetën e njerëzve, kredo e vjetër e ‘Silicon Valley’ për ‘lëvizni shpejt dhe prishni gjërat’, thjesht nuk funksionon”, theksoi administratorja e USAID-it, Samantha Power.

Shefja e USAID-it, tha se puna në “Diia” ka nisur qysh në vitin 2016 me qeverinë e Ukrainës, me “UK Aid” dhe me Fondacionin Eurasia.

Ajo tha se ideja fillestare ka qenë ndërtimi i një sistemi digjital të qeverisjes, kryesisht si pjesë e luftës kundër korrupsionit. Por shton se me ardhjen e presidentit Zelensky në pushtet në vitin 2019, ministri i atëhershëm i Inovacionit, Mykhailo Federov, prezantoi një vizion për të bërë diçka shumë më ambicioze – për të krijuar një Shtet në një smartfon.

Kujtojmë se shefja e USAID-it, Samantha Power, qëndroi në Kosovë për tri ditë në fillim të këtij muaji, duke zhvilluar takime me krerët shtetërorë.

Go to TOP