25 vjeçarja nga Kosova lëndohet rëndë në një aksident në Austri
Një 25 vjeçare nga Kosova ka mbetur e lënduar rëndë si pasojë e një aksidenti në Austri, derisa shoferi i automjetit tjetër një 27 vjeçar austriak është në gjendje kritike.
Sipas policisë austriake, ky i fundit ishte nën ndikimin e alkoolit dhe po drejtonte mjetin pa patentë të vlefshme.
Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së shtunës në rrugën L406, në zonën e Flattendorfit.
Gruaja nga Kosova ishte duke udhëtuar me veturën e saj në drejtim të Schildbachut, kur rreth orës 23:05, në kilometrin 20.1 të kësaj rruge, u përplas ballë për ballë me një automjet që po vinte nga drejtimi i kundërt
Ajo u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Oberwartit, ku po merr trajtim mjekësor.
Ndërkohë, shoferi austriak mbeti i bllokuar brenda automjetit dhe u nxor nga ekipet e emergjencës.
Ai fillimisht u transportua në Spitalin Rajonal të Hartbergut, ndërsa më pas u dërgua me helikopter në Spitalin Rajonal të Gracit, ku sipas raportimeve ndodhet në gjendje kritike.
Sipas autoriteteve austriake, 25 vjeçarja nga Kosova rezultoi negativ në testin e alkoolit, kurse 27-vjeçari austriak ishte në gjendje të rëndë të dehur dhe po drejtonte automjetin pa patentë të vlefshme
Për shkak të hetimeve dhe largimit të automjeteve të dëmtuara, rruga L406 u mbyll për rreth një orë e gjysmë.
