Hoti: Vendimi i ZRRE-së rrezikon bizneset dhe ekonominë vendore – Qeveria po vepron kundër interesave të Kosovës
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili hyn në fuqi nesër dhe detyron bizneset të dalin në tregun e hapur të furnizimit me energji.
Sipas Hotit, ky vendim është marrë pa konsultime paraprake dhe pa përgatitje adekuate duke krijuar pasiguri të madhe për furnizim me energji për sektorin privat. Ai e cilëson gjendjen si “të pakuptimtë” dhe thekson se vendimi do të duhej të ishte dakorduar me komunitetin e bizneseve për të shmangur pasoja të rënda ekonomike.
“Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, mosardhje e investitorëve të rinj, mungesë e investimeve vendore, rritje e kostove të bizneseve, humbje e aftësisë konkurruese dhe rritje e papunësisë,” ka paralajmëruar Hoti.
Ai ka shtuar se si pasojë e kësaj qasjeje, do të ketë përkeqësim të bilancit tregtar dhe një rritje të pranisë së produkteve të huaja në tregun vendor duke dobësuar prodhimin dhe bizneset vendore.
Në fund, Hoti ka kritikuar ZRRE-në për arbitraritet dhe e ka akuzuar Qeverinë për mashtrim dhe mungesë vizioni: “Nuk e di në çfarë agjende janë futur ZRRE-ja dhe Qeveria e mashtrimit, por sigurisht jo në një agjendë që është në interes të bizneseve të Kosovës.” /Kosova.info/
