Kosova mirëpret njohjen nga Kenia: Presidentja Osmani falënderon Presidentin Ruto

Republika e Kosovës ka mirëpritur vendimin historik të Republikës së Kenias për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Vendimi është nënshkruar nga Presidenti i Kenias, William Ruto, dhe është dërguar zyrtarisht në Presidencën e Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani e cilësoi këtë njohje si një dëshmi e mbështetjes për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe integritet territorial, si dhe një njohje e sakrificave historike të kosovarëve.

“Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, shpreh falënderime të sinqerta ndaj Presidentit Ruto për këtë vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, si dhe ndaj institucioneve dhe qytetarëve kenianë që mbështetën këtë hap të madh diplomatik,” deklaroi Osmani.

Ajo theksoi se përgjatë viteve ka zhvilluar disa takime me Presidentin Ruto, ku njohja e Kosovës ka qenë një nga temat kryesore të diskutimeve. Presidenti i Kenias kishte premtuar se vendimi do të merrej shpejt, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe sakrificën e gjatë të popullit të Kosovës.

Presidentja Osmani falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces, me një mirënjohje të veçantë për angazhimin e vazhdueshëm të ish-Presidentit dhe ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Kosova tani synon të vendosë sa më shpejt marrëdhënie diplomatike me Kenian duke ndërtuar një partneritet të fortë dhe afatgjatë në fusha të ndryshme. Kjo njohje e re shënon një tjetër hap të rëndësishëm në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP