Konjufca takohet me ambasadorin e ri jorezident të Norvegjisë, bisedojnë për marrëdhëniet dypalëshe
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e ri jorezident të Mbretërisë së Norvegjisë për Republikën e Kosovës, Andreas Gaarder.
Sipas komunikatës së kuvendit, në takim u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe e u shkëmbye pikëpamje lidhur me zhvillimet në vend e rajon.
“Në takim, ndër të tjera, u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe, intensifikimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, vazhdimin e mbështetjes së shtetit norvegjez për Kosovën në rrugën integruese euroatlantike, si dhe u shkëmbyen pikëpamje lidhur me zhvillimet në vend e rajon“, thuhet në komunikatë.
Konjufca, pasi i dëshiroi suksese ambasadorit Gaarder në detyrën e re, vlerësoi lart marrëdhëniet mes dy shteteve.
Ai po ashtu shfaqi shpresën se gjatë mandatit të ambasadorit Gaarder do të forcohen dhe intensifikohen edhe më tej raportet e dyanshme.
Me këtë rast, Konjufca i shprehu mirënjohje ambasadorit norvegjez për mbështetjen që Norvegjia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në shumë fusha, përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Ndërkaq, ambasadori Gaarder konfirmoi gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në sfera me interes të përbashkët ndërmjet Norvegjisë dhe Republikës së Kosovës.
