Konjufca optimist se drejtuesit e UÇK-së së shpejti do të jenë në Kosovë

Glauk Konjufca, Zv/kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, në një intervistë për RTK-në nga Haga ka thënë se procesi gjyqësor për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka qenë shqetësues dhe i ngarkuar me ndikime politike.

“Ky proces na ka shqetësuar shumë, sepse gjatë tij ka pasur shkelje të shumta të të drejtave të të akuzuarve, drejtuesve të UÇK-së. Ka pasur shumë elemente që dyshohen se nuk përfaqësojnë drejtësinë e pastër dhe janë të mbeshtjellura politikisht,” ka deklaruar Konjufca.

Ai ka komentuar edhe aktakuzën prej 73 faqesh, duke theksuar se ajo fokusohet më shumë te karakteri i luftës së UÇK-së sesa te individët.

“Nëse e lexoni aktakuzën dhe preambulën e saj, vëreni që nuk ka lidhje me individë. Ajo shkon shumë përtej tyre dhe merret me vetë karakterin e luftës çlirimtare, të shenjtë për popullin e Kosovës, të kryer nga Ushtria jonë e lavdishme e UÇK-së. Pa këtë angazhim, liria e Kosovës nuk do të ishte arritur”, tha ai për RTK.

Konjufca ka theksuar se liria e Kosovës ka ardhur si rezultat i kombinimit të vullnetit të popullit dhe ndërhyrjes ndërkombëtare.

“Djemtë dhe vajzat e popullit tonë kapën armët për të larguar okupatorin serb. Ndërhyrja ndërkombëtare dhe lufta e UÇK-së kanë qenë komplementare, jo kundër njëra-tjetrës. Lufta në terren dhe sulmet ajrore të NATO-s kontribuan së bashku për të realizuar qëllimin: largimin e Serbisë nga Kosova”, tha ai.

Ai ka shtuar se kjo luftë është mbrojtëse dhe nuk mund të gjykohet nga askush. “Kjo është luftë e pastër, e drejtë, dhe askush nuk ka të drejtë ta shtrembërojë. Ajo është në zemrat e popullit dhe në historinë e shtetit tonë”, theksoi krydediplomati kosovar.

Ministri ka shprehur optimizëm se aktakuza do të rrëzohet dhe drejtuesit e UÇK-së do të lirohen. “Jam shumë optimist që gjykata do të hedhë poshtë aktakuzën, dhe drejtuesit e Ushtrisë sonë të lavdishme do të jenë së shpejti të lirë dhe pa asnjë barrë juridike”, tha Glauk Konjufca, Zv/kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.


Go to TOP