Konjufca mohon lajmin e rremë: Deklarata për “frizere” u keqinterpretua, kërkon ndjesë për keqkuptimin
Zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj, siç i quan ai, lajmeve të rreme dhe të qëllimshme që kanë qarkulluar pas një tubimi në Ferizaj.
Konjufca shpjegon se gjatë fjalës së tij është ndërprerë nga një person që ai e cilëson si “pseudogazetar”, i cili ka përdorur termin “frizere”. Sipas tij, për shkak të zhurmës dhe mënyrës së artikulimit, nuk e ka dëgjuar saktë pyetjen, por ka reaguar vetëm ndaj përdorimit të këtij termi duke theksuar se bëhet fjalë për një profesion të ndershëm dhe të rëndësishëm për shumë gra dhe familje në Kosovë.
Ai shton se qëllimi i reagimit të tij ka qenë ekskluzivisht të kundërshtojë përdorimin përçmues të këtij profesioni duke përmendur edhe faktin që ai është përfshirë në programin e arsimit dual të mbështetur nga qeveria.
Konjufca mohon kategorikisht çdo lidhje të deklaratës së tij me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani duke akuzuar disa media se kanë nxjerrë jashtë kontekstit vetëm një pjesë të fjalës së tij për të ndërtuar, sipas tij, një narrativë të pavërtetë.
“Me znj. Osmani kam bashkëpunim të gjatë dhe respekt të ndërsjellë, të cilin e ruaj edhe sot”, thekson ai.
Në fund, Konjufca u ka kërkuar ndjesë të gjithë atyre që mund të jenë ndjerë të lënduar nga ky, siç e quan ai, “konstrukt i inxhinieruar i luftës speciale” duke ritheksuar se deklarata e tij është keqinterpretuar. /Kosova.info/
