Konjufca: Masakra e Abrisë akt barbar i politikës shfarosëse të Serbisë mbi popullin tonë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule në varrezat e martirëve të familjes Deliu në fshatin Abri e Epërme, të cilët para 23 vitesh u vranë dhe u masakruan barbarisht nga forcat serbe.

Masakra e Abrisë, sipas kryetarit Konjufca, ishte një nga krimet më të pashembullta të kohës, që e tronditi thellë ndërgjegjen e mbarë botës së lirë demokratike.

“Ka qenë një akt barbar i politikës shfarosëse të Serbisë mbi popullin tonë. Një ngjarje e trishtuar që e ka tronditur tërë botën demokratike. Pas gjakut të derdhur të familjes Deliu edhe bota ka ndryshuar mendim, duke u bërë më e vendosur në raport me Sllobodan Millosheviqin”, tha Konjufca në Abri të Epërme.

Kreu i Kuvendit tha se gjaku i martirëve të Deliajve, por edhe i të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të Kosovës qëndron në themelet e lirisë  dhe të shtetit. Sipas tij, pa gjakun e tyre shteti nuk do të bëhej, ndërsa tani është detyrë e secilit ta ruajë dhe ta mbajë atë.

Kryetari i Kuvendit shtoi se ajo që vazhdon t’i mundojë të gjithë është fakti se edhe sot e kësaj dite ata që kryen masakrën e Abrisë, por edhe masakrat tjera në Kosovë, ende vazhdojnë të jetojnë të lirë dhe pa u ndëshkuar nga askush.

“Deri më tani askush nuk është dënuar për të gjitha këto krime që janë bërë mbi popullin shqiptar të Kosovës. Familjet e martirëve do të ndihen të qetë vetëm kur personat që kryen këto krime të vihen para drejtësisë”, tha kryetari Konjufca. /Kosova.info/

Go to TOP