Konjufca: Faik Rexhepi, simbol i qëndresës kundër pushtimit serb

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka ngushëlluar familjen Rexhepi, me rastin e vdekjes së simbolit të protestës kundër policisë serbe, Faik Rexhepi. 

Në telegram thuhet: 

“E nderuar familje Rexhepi,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin se ka ndërruar jetë Faik Rexhepi, simboli i protestës dhe qëndresës përballë trupave okupatore serbe. 

Me aktin e tij autentik, Faik Rexhepi shënoi një çast sublim e të përjetshëm të popullit tonë kundrejt forcave pushtuese serbe. Për fat të mirë, atë çast e gjejmë në një fotografi të paharrueshme, tek e cila do të jetojë gjithmonë shpirti dhe kujtimi i tij. 

Me gjestin e tij politik, Faiku ekspozoi në sytë e të gjithëve ilegjitimitetin dhe arbitraritetin e dhunës së regjimit të Serbisë në Kosovë. Ai çast na ka bërë të gjithëve krenarë, e na ka dhënë fuqi në shpirt. Do ta kujtojmë gjithmonë, sepse me aktin e tij frymëzoi sa e sa të tjerë përbrenda përpjekjes sonë të gjatë për liri. 

Ju lutem, pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta! Shpirti iu prehtë në paqe dhe vepra e tij frymëzoftë çdo brez që do të vijë!”. /Kosova.info/


Go to TOP