Konjufca: Bajram Qerkini ishte zë i dinjitetit dhe përpjekjes së pandalshme
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, nëpërmjet një telegrami ka ngushëlluar familjen Qerkini, për vdekjen e familjarit dhe veprimtarit në çështjen e të zhdukurve gjatë periudhës së luftës, Bajram Qerkini.
“E nderuar familje Qerkini,
Me dhimbje mësuam se Bajram Qerkini, udhëheqësi i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur ndërroi jetë.
Ai ishte një veprimtar me kontribut shumë të madh në çështjen e të zhdukurve gjatë periudhës së luftës. Si baba i një biri të zhdukur me dhunë nga Serbia, ai dhimbjen e bëri vullnet për t’u angazhuar e për të punuar deri në fund në përpjekjen për të zbardhur fatin e atyre që u zhdukën nga aparati kriminal i Serbisë.
Bajram Qerkini ishte zë i dinjtetit, një figurë që mishëronte dhimbjen tonë të bërë forcë dhe përpjekje të pandalshme.
Ngushëllime të sinqerta për ju e nderuar familje, që humbët të dashurin tuaj, por edhe gjithë Kosovës që humbi një njeri të pathyeshëm, puna e të cilit do të vazhdojë në gjurmët që ai i la pas!
U prehtë në paqe!”, thuhet në telegramin e kryetarit Glauk Konjufca. /Kosova.info/
