Komunat i gëzohen largimit të paragrafit problematik nga Projektbuxheti

Asociacioni i Komunave të Kosovës i është gëzuar faktit që sot Kuvendi i Kosovës ka tërhequr pikën 6 të nenit 9 të Projektbuxhetit, i cili parashihte marrjen e të hyrave vetanake të pashpenzuara të komunave nga vitet paraprake.

Drejtori i Ekzekutiv i Asociacionit, Sazan Ibrahimi, ka thënë për gazetën Nacionale se një gjë e tillë është arritur pas lobimit të komunave.
“Pas lobinit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Parlamenti i Republikës së Kosovës sapo tërhoqi pikën 6 të nenit 9 ku ishte i paraparë marrja e të hyrave vetanake të pashpenzuara të komunave nga vitet paraprake. Po të miratohej kjo pikë e këtij neni, komunat do të humasnin me dhjetëra miliona euro të parapara për investime kapitale të cilat do të ndikonin në përmisimin e jetës së qytetarit”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, ky paragraf ishte antiligjor.

“Gjithashtu, po të miratohej kjo pikë e këtij neni, atëherë do shkelej Ligji për Menaxhimin e Financave Publike, ai për financa lokale por edhe Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Urime komunave të Republikës së Kosovës!”, ka thënë ai.

Në seancën e sotme të Kuvendit, ku Projektligji për buxhetin po shqyrtohet në lexim të dytë, deputetët kanë votuar pro heqjes se këtij paragrafi.

Go to TOP