Delegati i LDK-së nga Mitrovica, Xhevdet Ferizi, deklaron mbështetje për Lumir Abdixhikun
Delegati i Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nga Mitrovica, Xhevdet Ferizi, ka bërë të ditur se në Kuvendin e partisë do të votojë në mbështetje të kryetarit Lumir Abdixhiku dhe kundër mocionit për shkarkimin e tij.
Përmes një deklarate publike, Ferizi tha se e konsideron obligim moral dhe politik ta bëjë publik qëndrimin e tij duke theksuar se LDK-ja nuk forcohet duke e rrëzuar kryetarin sa herë që një grup brenda partisë është i pakënaqur.
Sipas tij, partia forcohet përmes debatit të hapur, përgjegjësisë, respektimit të vullnetit të anëtarësisë dhe bashkimit rreth interesit të përbashkët.
Ferizi vlerësoi se Lumir Abdixhiku mori drejtimin e LDK-së në një nga periudhat më të vështira për partinë duke pranuar se mund të ketë pasur gabime dhe vendime që kërkojnë reflektim. Megjithatë, ai theksoi se zgjidhja nuk është përçarja, hakmarrja politike apo rikthimi në konfliktet e brendshme.
Ai shtoi se LDK-ja ka nevojë për stabilitet, pjekuri politike dhe unitet, ndërsa dallimet duhet të diskutohen brenda strukturave të partisë dhe jo të dëmtojnë, sipas tij, organizatën.
Në përfundim, Ferizi konfirmoi se si delegat i zgjedhur do të votojë kundër shkarkimit dhe në mbështetje të vazhdimit të mandatit të kryetarit Lumir Abdixhiku duke theksuar se LDK-ja ndërtohet përmes bashkëpunimit dhe unitetit. /Kosova.info/
