Komuna e Prishtinës pas sulmit të fëmijës nga qentë: Ka ndodhur brenda oborrit të çerdhes, është përgjegjësi e institucionit

Gjatë kohës që një fëmijë katërvjeçarë ishte duke luajtur në oborrin e çerdhes publike “Gëzimi Ynë”, në Prishtinë u kafshua nga një qen.

Kjo ngjarje ka ndodhur gjatë ditës së martë dhe ka ngjallur reagime rreth problemit me qentë endacakë brenda territorit të Komunës së Prishtinës, problem ky me të cilin ka kohë që qytetarët e Prishtinës përballohen.

Në lidhje me këtë ka folur Zyrtari për Hapësira Publike në Komunën e Prishtinës, Habib Qorri.

Ai tha se në lidhje me kafshimin e fëmijës nga qeni, përgjegjës janë menaxherët e kopshtit dhe jo Komuna e Prishtinës.

“Këto janë përgjegjësi të menaxherëve të kopshtit sepse mirëmbajtja e institucionit i takon atyre. Në rrethojat paska qenë një vrimë prej ku ka depërtuar qeni, sepse qentë tash lëvizin dhe janë në kërkim të ushqimit dhe ka hy brenda dhe ka has në fëmijën”, deklaroi ai.

Mirëpo se gjendja me qentë endacakë në Prishtinë është alarmante e pohoi edhe Qorri.

Ai tha se mënyra më e mirë është vendosa e mikroçipave tek qentë që të evidentohet adresa e tyre.

“Gjendja me qentë endacak në Komunën e Prishtinës nuk është e mirë sepse është një numër jashtëzakonisht i madh i tyre që frekuentojnë si në zonat urbane por edhe në ato rurale. Në bashkëpunim me Agjencinë e Veterinës, jemi dakorduar që të fillojmë me kontratat e fundit që të bëjmë vendosjen e mikroçipave në mënyrë që të evidentohen dhe secili qen që trajtohet brenda territorit të Prishtinës, ai tashmë do të ketë edhe adresë”, tha ai.

Go to TOP