Kompozimi i natyrës

Shkruan: Ilir MUHARrEMI, kritik i artit

Arti ndez forcën e brendshme, aktivizon të bukurën, bën rrugën drejt shpirtit dhe ndjenjave. “Arti është pasqyrë e jetës” shkruante Tolstoi. Jeta është pasqyrë e artit. Pa art mund të kishte jetë, por jeta nuk do ta ndiente bukurinë e saj pa artin. Artistja Merita Myderrizi Maloku shpalos 50 piktura në Galerinë e Artit në Pejë me titull “Simfonia në pikturat e frymëzuara nga natyra”, e që është kurator Musa Prelvukaj. Merita artin e ndjenë në shpirt, bën hulumtim drejt ngjyrës veçanërisht asaj të ftohtë, që shpërndahet në prapavijë, atje në perspektivë me një abstrakte postmoderne nga ajri, kodrat qielli shqiptar. Gërvish relieve të formësuar nga një vertikale që puçin qiellin e pikturës, pastaj ravijëzohen te horizontalja e krejt kjo fokuson çaste të vrazhda, por me një vështrim më të detajuar optik  që ndjenë në vete qetësi. Stuhia godet, por prapë deti i saj qetësohet. Është një lojë shpirtërore e theksuar drejt magmës dhe pjalmës, të bëra lojë, imazh, vetëkontroll, ritëm e deri te kompozicioni i baraspeshuar. “Artisti i vërtetë duhet të jetë i lidhur ngushtë me natyrën, me jetën, sidomos me popullin.” Thoshte Shumani. Është e vërtetë sepse te Merita vërejmë vetëlindjen e saj në këto peizazhe, gjithnjë me  nuanca shpirtërore, e pastaj reproduksion i natyrës me stilin e saj unik.

Ajo kuadron peizazhin, thyen atë monotonin e fotografisë reale, e vë në lëvizje kompozicionin, krijon dramaticitetin dhe të bënë të lundrosh sikur je në një përrallë, që herë shfaqet drama e herë antidrama. Është plastika teksturore e pemëve në planin e parë që duken si ekspresion por abstrakt modern. Kanavaca lyhet me bojë, boja është një koordinim i ndjenjës, imagjinatës dhe logjikës, pra kemi një aranzhim, trekëndësh ngjyror, material, duke nxjerr gjithmonë planin e parë me trashësi të ngjyrës, qoftë e bardh në gri, ose blu e deri te e verdha në prapavijë që mban një shkëlqim e syri goditet drejt nga ajo. “Fantazia e artistit është realitet më i bukur se realiteti i rëndomtë.” Shkruante Ashi. Realiteti këtu është një simfoni që mund të njohim organo, është një bukuri e kombinuar formash, ngjyrash, mendimesh. “Të shpjerë dritë në thellësinë e zemrës së njeriut, ja detyra e artistit.” Klithte Shumani. Si duket Merita detyrën e realizon me kujdes dhe saktësi, sepse zemra mbushet me dritë dhe estetikë. E ndjenë peizazhin e Pejës, i kthehet Pejës, Rugovës, Tabies, ajrit, ngjyrave të Pejës sepse vet ajo e ndjenë fëmijërinë aty dhe çdo herë fëmijëria njeriun e tërheq dhe e bën për vete sepse aty është hallka, shkaku dhe pasoja.

Merita Myderrizi Maloku u lind më 1961 në Pejë. Diplomoi në Prishtinë në Akademinë e Arteve në degën e pikturës në klasën e prof Muslim Mulliqi. Me punimet e saja mori pjesë në shumë ekspozita kolektive dhe koloni artiske Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Turqi.

Go to TOP