Platforma “Scopus” e njeh Kosovën, deri tani puna e hulumtuesve i ‘faturohej’ Serbisë

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci sot bëri të ditur se platforma Scopus ka njohur Kosovën.

Nagavci në një postim në Facebook shkruan se deri tani puna e hulumtuesve nga Kosova i është faturuar Serbisë.

Lexoni të plotë postimin:

Platforma Scopus e njeh Kosovën

Përkundër nismave individuale të hulumtuesve që Kosova të jetë e listuar në një nga platformat më të rëndësishme shkencore në botë, siç është platforma Scopus, deri më tani ka munguar pjesa institucionale e veprimit. Si rezultat, e gjithë puna e hulumtuesve tanë nga Kosova deri më tani i është faturuar Serbisë.

MASHTI ka marrë masa, duke e adresuar këtë problem dhe sot kam kënaqësinë të ndajë lajmin e mirë me gjithë komunitetin hulumtues se, tashmë puna hulumtuese e tyre i njihet Kosovës.

Kjo është edhe një mundësi që të masim potencialin hulumtues në vend dhe do të na ndihmojë si shtet që të bëjmë politika të bazuara në të dhëna, sepse ato mund t’i marrim nga Platforma.

Kjo është mundësuar falë përkushtimit të zyrtarëve të MASHTI dhe ndihmës së madhe të partnerëve zhvillimorë. I falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë drejtim, në veçanti Programin Fulbright dhe Dr. Jaimie Rubin, e cila do të vijë të punojë me ne në MASHTI në mars të vitit 2023.

Ky është një sukses i rëndësishëm për të gjithë ne, ndërsa unë jam e lumtur që me programet mbështetëse, të cilat po i financojmë si Ministri, po i arrijmë edhe qëllimet tona. 

Go to TOP