Kompania në dy tenderë dyshohet për përdorim të dokumenteve të falsifikuara në spitalet e Pejës dhe Gjilanit
Kompania dyshohet se ka konkurruar në tenderë me dokumente të falsifikuara në dy spitale të Kosovës, raporton Kosova.info.
AVONET, pas monitorimit të dy procedurave të prokurimit në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës dhe atë të Gjilanit, ka identifikuar dokumente të dyshimta në ofertën e një operatori ekonomik. Në dosjet e dorëzuara figurojnë një CV, një kontratë pune dhe një diplomë, të cilat rezultojnë të jenë përdorur pa dijeninë e personit që figuron si autor i tyre.
Personi në fjalë, dizajner i diplomuar, ka konfirmuar për AVONET se nuk ka qenë asnjëherë në marrëdhënie pune me kompaninë A.R.F. SHPK dhe se nënshkrimi i tij është përdorur pa autorizim. Ky fakt çon në dyshime serioze për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim në proceset e prokurimit publik, duke cenuar konkurrencën e drejtë dhe integritetin e procedurave.
Duke u mbështetur në këto gjetje, AVONET ka dorëzuar kërkesë zyrtare në Prokurorinë e Shtetit për nisjen e hetimeve. Dyshimet përfshijnë deklarim të rremë nën betim, mashtrim dhe keqpërdorim në prokurim publik, keqpërdorim të besimit dhe falsifikim dokumentesh, sipas Kodit Penal të Kosovës.
Organizata i ka kërkuar gjithashtu të dy spitaleve që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për inicimin e procedurave të diskualifikimit pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit, në përputhje me nenet 99 dhe 65 të Ligjit për Prokurimin Publik.
AVONET thekson se do të vazhdojë monitorimin e prokurimit publik dhe publikimin e rasteve që rrezikojnë interesin e qytetarëve, duke kërkuar përgjegjësi dhe transparencë nga institucionet kompetente.
