Komandanti i FSK-së, pret në takim dy gjeneralë të lartë amerikanë – diskutohet thellimi i bashkëpunimit ushtarak

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Gjeneral Major Michael E. Wegscheider, Komandant i Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane, dhe Gjeneral Major Stephen Osborn, Agjutant i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës.

Gjatë këtij takimi, Komandanti Jashari uroi mirëseardhje dy gjeneralëve amerikanë dhe i njoftoi ata për zhvillimet dhe të arriturat më të fundit të FSK-së. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe projektet dhe aktivitetet e përbashkëta ndërmjet forcave.

Në fokus të diskutimit ishte pjesëmarrja e FSK-së në ushtrimin shumëkombësh “Defender Europe 25”, ku Kosova do të jetë vend pritës për një pjesë të ushtrimit, ndërsa kontingjentet e FSK-së do të jenë të përfshira gjithashtu në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci.

Po ashtu, u diskutua për mbështetjen amerikane në validimin e Ekipit 2 të ROL 1, si dhe për trajnimin e përbashkët në Qendrën e Përbashkët të Gatishmërisë (JRTC) me Gardën Kombëtare të Ajovës – një hap i rëndësishëm për ngritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së.

Në përfundim të takimit, gjeneralët amerikanë dhe ai kosovar u zotuan për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ushtarak në fusha me interes të përbashkët duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve si strategjike dhe të qëndrueshme. /Kosova.info/


Go to TOP