KMDLNj: Përjashtimi i gjashtë redaktorëve nga RTK akt arbitrar, transmetuesi publik po shndërrohet në autoparlant të pushtetit

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku gjashtë redaktorë të Shtëpisë Publike Informative janë përjashtuar nga udhëheqja e emisioneve për të cilat kishin përgjegjësi. Sipas KMDLNj-së, ky është një vendim arbitrar dhe i kundërligjshëm, i marrë nga drejtues politikisht të instrumentalizuar të këtij mediumi që financohet nga Kuvendi i Kosovës.

Në reagim thuhet se redaktorët e përjashtuar kanë ushtruar profesionin për një kohë të gjatë në RTK, me profesionalizëm dhe integritet moral duke iu përmbajtur standardeve profesionale. Mirëpo, sipas KMDLNj-së, ky vendim dëshmon se RTK-ja ka rënë nën ndikim të drejtpërdrejtë politik duke u shndërruar në “autoparlant të pushtetit”.

“Presioni ndaj gazetarëve që e ruajnë kurrizin profesional dhe misionin për informim të drejtë, objektiv dhe të pavarur po rritet duke marrë përmasa të një represioni sikur në vendet me regjime autoritare. Liria e shprehjes dhe ushtrimi i lirë i profesionit po shkelen brutalisht, në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe ligjet e Kosovës që i garantojnë ato,” thekson KMDLNj.

Tutje, ky institucion paralajmëron se ndërhyrjet flagrante të politikës dhe strukturave parapolitike në pavarësinë e RTK-së mund ta fusin Kosovën në mesin e shteteve që ushtrojnë dhunë psikike dhe profesionale ndaj gazetarëve.

“Historia e ushtrimit të presionit ndaj gazetarëve tani po përsëritet si farsë; ata që dikur iu shkileshin të drejtat e njeriut dhe ndaj të cilëve KMDLNj reagonte e protestonte, sot janë bërë censorë dhe dhunues të të drejtave të gazetarëve, kolegëve të tyre,” thuhet në reagim.

KMDLNj kërkon që gjashtë redaktorët e përjashtuar të rikthehen në emisionet që i kanë udhëhequr, si dhe që të ndalet ndërhyrja politike në punën e gazetarëve. Ky këshill apelon që pas funksionalizimit të Kuvendit të Kosovës, komisioni parlamentar përkatës të trajtojë me urgjencë gjendjen në RTK dhe të vendosë rregulla që garantojnë pavarësinë e transmetuesit publik.

“RTK aktualisht udhëhiqet nga individë që zbatojnë agjenda politike dhe që kanë mungesë të theksuar të kapaciteteve profesionale. KMDLNj është në mbrojtje të të drejtave të gazetarëve të RTK-së që po përndiqen, vetëm sepse refuzojnë instrumentalizimin politik,” përfundon reagimi. /Kosova.info/


Go to TOP