Kur polici e arreston policin, bie imazhi i shtetit!
Shkruan: Florim ZEQA
Pas aksionit javë më parë të “Pika 1”, të arrestimit të 48 punonjësve policorë dhe dy zyrtarëve doganor, vazhdoi vala e dytë e arrestimeve “Pika 2”, ku janë arrestuar së paku edhe 30 punonjës të tjerë policorë nën dyshimin për vepra penale “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”!
“Pika 2”, paralajmërim i arrestimeve të reja politike
Sikurse aksioni i parë “Pika 1”, edhe aksioni i dytë “PIKA 2” për ryshfet dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, nën urdhrat e politikës, i udhëhequr nga Inspektorati Policorë i Kosovës (IPK) në bashkëpunim më Prokurorinë Speciale po vazhdojnë të “pastrojnë” institucionin më kredibil në Kosovë!
Sipas njoftimit të IPK-së, thuhet se këtij aksioni i paraprinë një hetim një vjeçar i strukturave të sigurisë, përkthyer në gjuhën politike, i bie se, nga ardhja në pushtet e “Qeverisë së shpresës” ka filluar operacioni “fshesa” i koduar në “Pika…” në oborrin më të pastër të institucionit shtetëror, duke i lënë në harresë të plotë “oborret” më të ndotura nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, siç janë ato të: Qeverisë, Presidencës, Parlamentit, Gjykatave dhe Prokurorive!
Nuk janë aspak kredibile arsyetimet e IPK-së, se ndërmarrja e veprimeve policore ka për qëllim fuqizimin e “integritetit policor”! Në fakt, ky është vetëm preteksti i arrestimeve, pasi dyshohet se është duke ndodhur e kundërta, ajo e kapjes së sistemit të sigurisë nga politika me largimin e policëve dhe zyrtarëve të lartë doganor për shkak të bindjeve politike dhe pikëpamjeve ideologjike.
Pikë pas pike po njolloset një faqe e bardhë e institucionit më kredibil shtetërorë
Nuk ka si të jetë ndryshe, kur arrestohet një zyrtar shtetëror për 2.5 euro (dy euro e gjysmë) të supozuara si “marrje ryshfeti”, qoftë ai punëtorë i administratës, polic apo doganier! Kjo, përveçse qesharake është edhe paradoksale në shtetin e varfër të politikanëve të pasuruar skajshmërish.
Aksionet e koduara me emrin “Pika 1” dhe “Pika 2”, i cili rezultoi me mbi 80 polic dhe zyrtarë shtetëror të arrestuar në pikat doganore, pa asnjë arrestim të nivelit të lartë shtetërorë është shqetësim për të ardhmen e shtetit tonë!
Kur polici arreston policin, përveçse bie imazhi i shtetit, humbet besimi kolegial në mesin e policëve i cili rezulton me rritjen e kriminalitetit dhe nepotizmit në nivelet e larta të institucioneve shtetërore.
Kur e them ketë e arsyetoj me faktin se në të gjitha shtetet demokratike ku funksionon ligji dhe sistemi i drejtësisë, kur evidentohen shkelje ligjore të zyrtarëve shtetërorë nuk ndodhin arrestime spektakulare siç ndodhin në vendin tonë, por paraprakisht ndërmerren masa këshilluese dhe ndëshkuese ndaj individit me qëllim të vetëdijesimit e tek pastaj merret vendimi për largim nga puna dhe rasti kalohet në prokurori për vazhdimin eventual të procedurave gjyqësore!
Një kafe e “paligjshme” e policëve kosovarë më e kushtueshme sesa një darkë e shijshme e zyrtarëve të lartë shtetërorë
Arrestimet spektakulare të policëve dhe doganierëve është duke i qitur hije të zezë imazhit pozitiv të Policisë dhe shtetit të Kosovës në përgjithësi.
Nuk mund të arsyetohen me asgjë arrestimet spektakulare të zyrtarëve policorë, pasi ato kanë mundur të ndodhin pa pompozitet dhe pa spektakle televizive, për faktin se në rastin konkret, akuzat e ngritura ndaj zyrtarëve policorë nuk përbëjnë krim të organizuar, por vetëm dyshime të supozuara për ryshfet dhe keqpërdorime të vogla dhe të papërfillshme, në krahasim me aferat abuzuese që ndodhin në baza ditore në institucionet e larta shtetërore.
Një kafe e “paligjshme” e një zyrtari policorë nuk krahasohet me dreka e darka të përditshme të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe as me koston e udhëtimeve jashtë shtetit dhe vizitave familjare të udhëheqësve të lartë shtetërorë me paratë e taksapaguesve të varfër kosovarë!
Por, ja që një kafe e “paligjshme” e një polici kosovarë, përveçse e barasvlershme me drekat dhe darkat e zyrtarëve të lartë shtetërorë, po konsiderohet edhe vepër penale në shtetin e politikanëve më të pasur në rajon! Paradoksalisht, njerëzit e varfër dhe shtresat e ulëta të shoqërisë arrestohen dhe dërgohen në vuajtje të dënimit për një karrocë dru dhe një kafe “ryshfet”, ndërsa abuzuesit e nivelit të lartë dhe hajdutët e milionave nga thesari i shtetit lirohen në “mungesë” të provave ose dënohen me kusht që të jenë më kujdesshëm në vjedhjet e radhës!
