Zv.kryeministri jep lajmin e mirë për vendimin rreth aplikimit të Kosovës në BE

Zv.kryeministri Besnik Bislimi ka njoftuar se në mbledhjen e Qeverisë sot në mesin e 24 vendimeve shumë të rëndësishme për vendin, kanë ndërmarë edhe hapa konkretë në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

“E kemi shprehur qartë objektivin tonë që të aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si shteti i vetëm në rajon që akoma nuk e ka bërë një gjë të tillë. Sot, morëm vendimin për themelimin e Komisionit Ekzekutiv i cili do të jetë përgjegjës për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në BE.”, ka shkruar ai.
“Me rëndësi të veçantë janë dhe vendimet për shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e amandamentimit të dytë të marrëveshjes financiare mes Kosovës dhe BE, përkatësisht për programet IPA 2015 dhe IPA 2018. Amandamentimi për IPA 2015 ka si qëllim mundësimin e shtyrjes së afatit përfundimtar për zbatimin e projekteve të cilat nuk janë arritur me kohë si shkak i pandemisë së Covid-19, në mënyrë që Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ta përmbyllë me sukses zbatimin e projekteve në kuadër të IPA 2015. Sa i përket IPA 2018, qëllimi është rialokimi i shumave nga kontrata të pashfrytëzuara apo kursime, në vlerën e 5.94 milion euro, tek projekti për ndërrimin e filtrave të Kosovës B.
Mbledhja e 94-të e Qeverisë, ishte me rëndësi edhe për të konkretizuar hapat e mëtejshëm për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të nënshkruara me partnerët tanë, siç është projektligji që ratifikon marrëveshjet dypalëshe të nënshkruara mes Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, përmes së cilës Kosova përfiton 35 milionë euro për investime në fusha me interes të përbashkët zhvillimor.
Ne vazhdojmë të përmbushim zotimet tona dhe të përkushtohemi maksimalisht në përkujdesjen ndaj qytetarëve, thellimit të marrëdhënieve me partnerët tanë dhe avancimit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.”, theksohet mes tjerash në postimin e Bislimit.

Go to TOP