Kica-Xhelili: 51,810 herë faleminderit – LDK i është kthyer bazës së saj
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka shprehur mirënjohjen e saj të thellë për mbështetjen e votuesve, pasi KQZ konfirmoi se ajo ka marrë 51,810 vota në zgjedhje, pa përfshirë ende votat me kusht dhe ato nga diaspora.
Në një reagim publik, Kica-Xhelili e ka cilësuar këtë rezultat si një kombinim krenarie dhe përulësie, duke pranuar se rrugëtimi i saj politik nuk ka qenë i lehtë, por gjithmonë është përpjekur të mbetet besnike ndaj vetes dhe parimeve të saj.
Ajo ka falënderuar votuesit e LDK-së për pesëfishimin e mbështetjes ndaj saj duke e konsideruar këtë si një përgjegjësi të madhe. Po ashtu, nuk ka lënë pa përmendur familjen e saj, e cila e ka mbështetur gjatë gjithë këtij rrugëtimi, duke veçuar vajzën e saj pesëvjeçare për mirëkuptimin që ka treguar.
Në mesazhin e saj, deputetja ka shprehur mirënjohje edhe për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për dhënien e hapësirës ndaj reformave dhe të vërtetës politike. Ajo e ka konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm për të ardhmen e LDK-së dhe të Kosovës, duke theksuar se një LDK e fortë do të thotë edhe një Kosovë më e fortë.
Në fund, Kica-Xhelili u ka bërë thirrje aktivistëve dhe mbështetësve të LDK-së për të vijuar angazhimin duke theksuar se premtimet e dhëna gjatë fushatës nuk do të harrohen dhe se puna sapo ka filluar. /Kosova.info/
