Këshilltari në MPJD thotë se u sulmua fizikisht para shtëpisë së tij, rastin e ka hapur edhe në polici

Cerim Bajrami, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka deklaruar për Gazetën Express se sot është sulmuar fizikisht para shtëpisë së tij, siç tha nga një person rreth 35-vjeçar, i panjohur për të. Rastin e ka hapur edhe në polici.

Bajrami tha se ka marrë lëndime të rënda trupore dhe ka qënduar në trajtim mjekësor rreth një orë e gjysmë.

“E kam raportu rastin në polici, tash para pesë minutash kam dalë nga Stacioni Policor në Prizren. Kam qenë 1 orë e gjysmë në emergjencë, kam lëndime trupore shumë”, tha Bajrami për Express.

Ai tha se nuk e njeh sulmuesin dhe i njëjti tha se e ka goditur me grusht në hundë dhe afër syrit të majtë, “goxha goditje e madhe”, u shpreh ai.

“Personin nuk e njoh, ka qenë një djalë rreth 35 vjeçar, ka provoku me një grup fëmijësh para oborrit tonë që jetojmë me vëllain në një shtëpi në Prizren. Afër është qendra e quajtur vehabiste. Kemi çdo ditë gati provokime nga ta, luajnë fëmijët çdo ditë para oborrit tonë, po na pengojnë”, tha Bajrami.

“Ata çdo ditë po na provokojnë”, u shpreh ai.

Sipas tij, topi që po luanin fëmijët futboll ka rënë në oborrin e tij dhe i njëjti ka kërkuar bashkë me familjarët e tij që të mos luajnë pranë shtëpisë së tyre.

“Topi ka hy në oborrin tonë dhe me dhunë ka dashtë me marrë topin, i ka thënë edhe vajza mos luani këtu. Unë dëgjova diçka, i kam thënë vajzës menjëherë thirre policinë, dola në oborr unë…Vajza e ka thirrë policinë, dola në oborr me pritë policinë, ai i ka çu fëmijët poshtë në qendër ku e kanë vehabistët rreth 30 metra është larg. Kur më ka pa mua ka ardhë dhe më tha që po të incizoj, e ka incizu edhe nusen e vëllait dhe shtëpinë. I thash largohu shko poshtë, dhe ai ka marrë pozicionin me goditë, unë kam bo provën me u mbrojtë nuk kam pas mundësi, ai me grusht ka goditë në anën e majtë hundën ma kanë bë llom…”, tha ai.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes”, përfundoi ai.

Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Rasti i sulmit êshtë raportuar me datë 29.02.2024 rreth orës 16:00 ne Prizren.  Pas një konflikti verbal në mes të dyshuarit dhe viktimës, i dyshuari e ka goditur me boks viktimën dhe me këtë rast i ka shkaktuar lëndime në hundë.  Policia është duke u marr me rastin. Deri te fjalosja ka ardhur për shkak se I dyshuari me disa të tjerë ka qenë duke lujtur me top ndërsa viktima ka kërkuar nga ata që të ndërpresin lojën e të mos i shqetësojnë”, tha Bytyqi për Express.

Partia Demokratike e Boshnjakëve – Koalicioni Vakat, e ka dënuar sulmin që i është bërë këshilltarit të MPJD-së.

“Partia Demokratike e Koalicionit Boshnjak Vakat, me indinjatën më të thellë, dënon këtë akt frikacak të dhunës që ka ndodhur ndaj z.Bajrami. Ne besojmë se sulmi fizik ndaj çdo individi, pavarësisht nga pozicioni apo bindjet e tij, është krejtësisht i papranueshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me vlerat tona themelore njerëzore”, thuhet në reagimin e partisë.

“Sulme të tilla jo vetëm që rrezikojnë individin që synohet, ato shkelin të drejtat themelore të njeriut dhe paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë për vlerat e komunitetit tonë. Ndaj është e domosdoshme që institucionet e drejtësisë të reagojnë urgjentisht dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e duhur për të vënë para drejtësisë autorët e këtij akti të shëmtuar”, vijon reagimi.

“Shprehim shpresën tonë të sinqertë për shërimin sa më të shpejtë të z. Bajrami dhe qëndrojmë pranë tij si simbol i mbështetjes së paqes, tolerancës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ne do të vazhdojmë të promovojmë në mënyrë aktive një kulturë dialogu, duke respektuar diversitetin dhe duke shtypur çdo formë dhune në shoqërinë tonë”, përfundon reagimi. 

Go to TOP