Këshilltari i Kurtit jep opsionet se kur mund të mbahen zgjedhjet parlamentare

Pas deklaratave të kryeministrit për mundësinë e mbajtjeve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë, ka “sqaruar” edhe këshilltari politik i Kurtit, Jeton Zulfaj.

Ai, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka bërë të ditur se është normale që në vitin e fundit të qeverisjes të mendohet edhe për datën e zgjedhjeve.

Sipas tij kalendari thotë që zgjedhjet duhet të mbahen në dimrin e vitit që vjen, por që preferohet që zgjedhjet të mbahen në vjeshtë ose pranverë.

“Në vitin e fundit të mandatit natyrisht që duhet të mendohet për datën e zgjedhjeve të ardhshme. Data e rregullt e zgjedhjeve është në dimrin e vitit 2025. Stina më të përshtatshme për zgjedhje janë pranvera dhe vjeshta, jo dimri. Andaj qeveria dhe opozita mund të fillojnë bisedimet dhe të merren vesh. Në zgjedhje shkohet me shpërndarje të Kuvendit me 2/3 e votave”.

Megjithatë Zulfaj thotë se opozita ka të drejtën ta provojë rrëzimin e kryeministrit me mocion mosbesimi.

“Sa për rrëzim qeverie me mocion mosbesimi, kjo është çështje e brendshme e opozitës a duan ta provojnë. KM Kurti po prezanton të arriturat impresive në këto tre vjet, punë e suksese, jo dorëheqje a dorëzim”.

Ai thotë se matjet tregojnë që qytetarët janë të kënaqur me qeverisjen e kryeministrit Kurti.

“Nesër hyjmë në vitin e katërt të qeverisjes. Kemi qeverisje të mirë dhe stabile dhe me mbështetje të gjerë qytetare. Sipas Pulsit Publik të UNDP, pas tri vite të qeverisjes, 50% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Kryeministrit dhe mbi 40% me punën e qeverisë, pa përfshirë mërgatën”.

“Edhe njëherë: 50% e qytetarëve, pa mërgatën, janë të kënaqur me Kryeministrin”, ka shtuar tutje Zulfaj.

Go to TOP