Kërkohet që raportet etnike të mos jenë pengesë për bashkëpunimin e komunave ndërkufitare
Në kuadër të konferencës për bashkëpunimin ndërkufitar të Institutit për Hulumtime dhe Zhvillim në Prishtinë (PRIDEV), u theksua nevoja për tejkalimin e problemeve etnike në rajon dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave ndërkufitare.
Fokus i diskutimit të kësaj konference ishte bashkëpunimi ndërkufitar me theks të veçantë trekëndëshi Gjilan-Kumanovë-Preshevë.
Ish-kryetari i Gjilanit, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se pushteti lokal duhet të tejkalojë pengesat etnike për të thelluar bashkëpunimin në zonat ndërkufitare.
Haziri: Raportet etnike të mos jenë pengesë për bashkëpunimin e komunave ndërkufitare
“Ka komuna me tipare malore. Agro-turizmi malor, që në koncepte të veçanta mund të zhvillohet dhe bashkëpunohet. Krejt problemi është që raportet etnike të mos jenë pengesa kryesore. Në raportin tonë, problemi politik që kemi me Serbinë po ndikon që të mos avancohet çështja e mikro-rajonit që njihet në të gjitha dhomat dhe mekanizmat në Bruksel dhe në Këshill të Evropës… Mendoj që në këtë pikë ku jemi, pushteti lokal mund të kapitalizojë instrumentin financiar dhe politik për të avancuar këtë lloj bashkëpunimi me një agjendë të përbashkët”, tha Haziri.
Pjesë e panelit ishte edhe deputeti i Maqedonisë së Veriut Elmi Aziri, i cili tha se nevoja për bashkëpunim Kosovë-Maqedoni e Veriut është derivat i aspiratës së dy vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, raporton KosovaPress.
Aziri theksoi se faktori politik dhe etnik në rajon është kyç për ngecje në këtë drejtim. Ai përmendi disa shembuj nga Maqedonia e Veriut, ku, sipas tij, po anashkalohet komuniteti shqiptar dhe se të gjitha investimet e mëdha kapitale po shkojnë në Korridorin Dhjetë, që e lidh Maqedoninë e Veriut me Greqinë e Serbinë.
Aziri: Investimet e mëdha kapitale po shkojnë në Korridorin Dhjetë
“Këto tendenca dhe forma të bashkëpunimit janë derivat i bashkëpunimit që Kosova dhe Maqedonia e Veriut e kanë si synim për t’u anëtarësuar në BE. Qëllimi është të lehtësohet komunikimi, bashkëpunimi, lëvizja dhe tregtia. Sado që dëshirojmë që situata të jetë e mirë, nuk mund të anashkalojmë faktorin politik dhe etnik për ngecjen në këtë drejtim… Korridori Dhjetë e lidh Greqinë, përmes Maqedonisë së Veriut, me Serbinë. Të gjitha investimet kanë shkuar në atë korridor. Edhe pjesa e hekurudhave ka qenë në Korridorin Dhjetë. Tani, më e reja është se Maqedonia e ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për një huamarrje rreth 6 miliardë euro me Britaninë e Madhe… Ndërtimi i hekurudhës së shpejtë me Korridorin Dhjetë. Me lidh Selanikun përmes Maqedonisë me Serbinë”, tha ai.
Kryesuesi i Asamblesë Komunale të Bujanocit, Driton Rexhepi, tha se problemet në këtë komunë për mos marrjen e granteve lidhen me mungesën e kapaciteteve administrative dhe intelektuale për aplikimin e projekteve konkrete të BE-së.
Rexhepi: Kemi probleme për të aplikuar për projekte
“Problemet në terren janë se ne nuk kemi kapacitete administrative dhe intelektuale për projekte konkrete në kuadër të fondeve IPA apo mekanizmave të tjerë mikro-financiarë ku mund të aplikojmë… Kjo nuk funksionon me mungesën e kapaciteteve. Ne nuk mund të presim lëmoshë prej komunave, por duhet bashkëpunim. Gjilani është komuna me të cilën kemi partneritet, që përveç interesave kombëtare ka edhe interes strategjik që jepen fonde të caktuara”, theksoi Rexhepi.
Ish-zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu, tha se nismat për bashkëpunim ndërkufitar kanë për qëllim zhvillimin ekonomik dhe sigurimin e paqes në rajon.
Kryeziu: Nismat për bashkëpunim ndërkufitar kanë për qëllim zhvillimin ekonomik
“Nismat e tilla që kanë për qëllim bashkëpunimin ndërkufitar dhe zhvillimin ekonomik, paqen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, gjithmonë sjellin dualitetin apo temën nëse dëshirojmë bashkëpunim rajonal, apo pastaj vendet individuale e shohin raportin me BE-në në bazë të meritave individuale”, përfundoi ai.
