Kërkohen strategji të reja për zhvillimin ekonomik 

Në kohën kur çmimi i energjisë, bashkë me ato të shumë produkteve të tjera, është ngritur, po kërkohet që institucionet të punojnë në politika të reja që kjo të mos ndikojë në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik. Njohës të fushës thonë se edhe moskonstituimi i Kuvendit do të luajë rol negativ në zhvillimin e mëtejmë ekonomik.

Ngritja e çmimit të energjisë elektrike, bashkë me ato të produkteve të tjera, pritet të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit. Kështu të paktën thonë njohës të fushës, të cilët theksojnë se është e nevojshme që në këtë situatë të dizajnohen politika që do t’u ndihmonin kategorive që mund të kenë vështirësi në pagesën e energjisë.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani, ka deklaruar se është e nevojshme që ZRRE të komunikojë me sektorin privat në mënyrë që kalimi në tregun e lirë të ketë sa më pak pasoja.

“Ngritja e çmimeve sigurisht se krijon presion inflacioni për gjithë ekonominë e vendit, veçanërisht rritja e fundit do të ketë një refleksion të tij, i cili pritet. Megjithatë, çmimi i energjisë ka qenë subjekt diskutimi për një kohë të gjatë”, tha ai.

Rol negativ në rritjen ekonomike, sipas Hashanit, do të ketë edhe moskonstituimi i Kuvendit dhe mungesa e institucioneve të reja.

Sipas tij, në mungesë të institucioneve, gjasat janë të vogla që të përshpejtohet rritja ekonomike sivjet. Ai deklaroi se Kosova duhet të punojë në një model të ri të rritjes ekonomike.

“Kosova ka pasur një trajektore rritjeje të fundit, veçanërisht pas pavarësisë, megjithatë norma e kësaj rritjeje nuk ka qenë transformuese”, shtoi Hashani.

Në prag të 30-vjetorit të themelimit, Instituti Riinvest më 15-16 janar organizon konferencën ndërkombëtare për të diskutuar tema kyçe që lidhen me zhvillimin ekonomik.


Go to TOP