Kënga e Abazit në Hotel Bozhur

Shkruan: Bajram MJEKU

Sebepi për këtë postim ndodhi mbrëmë kur platforma e telefonit, të cilin shumë pak e eksploroj, shfaqi Këngën e Abazit, një perlë e vjetër popullore e interpretuar mjeshtërisht nga këngëtari, Pëllumb Meta.

Ishte Kënga e Abazit që më riktheu në jetën studentore, më saktë në një mbrëmje dhjetori të vitit të largët 1985, kur me kolegun e studimeve dhe mikun tim të ngushtë Istrefin kaluam një mbrëmje në Klubin e Artistëve, i cili gjendej në katin përdhes të Hotel Bozhurit të atëhershëm, apo Swiss Diamondit të sotëm në Prishtinë.

Në Klubin e Artistëve, që nuk ekziston më dhe i cili njëmend kishte edhe enterier artistik, veç muzikës së lehtë të kohës, dëgjuam edhe disa interpretime të mrekullueshme në piano. Atëbotë dhe jo për para, në Klubin e Artistëve interpretoheshin vepra të mrekullueshme muzikore nga shpirti i lirë i artistëve kosovarë, në kohën kur Kosova krahasuar me republikat jugosllave ishte e varfër dhe më shumë se kjo nuk ishte e pavarur!

Mbaj mend që me Istrefin në Klubin e Artistëve ndejtëm deri vonë dhe kur vendosëm të largohemi u mbështollëm mirë, pasi ajo mbrëmje dhjetori ishte shumë e ftohtë.

Sapo dolēm nga Klubi i Artistëve, mbi katin përdhes të Hotelit Bozhur dëgjohej jehona e orkestrit muzikor, që interpretonte muzikë popullore shqiptare në sallën e madhe të tij. Istrefi e dinte që nuk jam admirues i secilës këngë popullore, por si për “inat” timin, insistoi që gjithsesi të hyjmë edhe në Hotel Bozhur, derisa sekreti i qëllimit të tij ishte që të rrëkëllente edhe ndonjë gotë birrë!

Sapo u ulëm në njërën nga tavolinat e shumëta të Hotelit, një mesoburrë rreth të gjashtëdhjetave, fort i thinjur dhe i bërë tapë, pamja e të cilit rrëzëllente zbraztësi shpirtërore, ngriti dorën drejt këngëtares, që ta këndonte këngën e tij të admiruar. Këngëtarja i dha shenjë orkestrit dhe kjo e fundit e dinte që për mysafirin e përvuajtur duhej interpretuar Kënga e Abazit! Sapo filloi orkestri dhe kur këngëtarja interpretoi dy vargjet e fundit të strofës së parë të këngës, mysafiri i përvuajtur i Hotel Bozhur ngriti gotën e birrës dhe iu tjetërsua gjendja shpirtërore… Derisa të gjithë mysafirët i kishin ngulitur sytë drejt mysafirit të thinjur, njëri nga mysafirët i pagdhendur e fodull, u ngrit në këmbë dhe i tha këngëtares që të ndërpriste Këngën e Abazit dhe të këndonte diçka tjetër nga preferenca e tij! Mysafiri i përvuajtur dhe adhuruesi i madh i Këngës së Abazit dhe Lirijes që ishte kryeprotagonistja e këngës, pa u hamendur fare rrëmbeu nga tavolina e tij shishen e birrës dhe u nis drejt fodullit që ta godiste në kokë. Situata nuk u bë tragjike falë ndërhyrjes së shpejtë të kamarierëve, të cilët qetësuan situatën…

Asnjëherë nuk e kam mësuar emrin e njeriut të përvuajtur në Hotel Bozhur, as dhimbjet e tij pse e adhuronte aq shumë Këngën e Abazit, por që kishte ndonjë dashuri të humbur nuk kishte asnjë dyshim, derisa Kënga e Abazit është njëra nga perlat më të mëdha të muzikës popullore shqiptare.

Këtë postim e shkruajta edhe për faktin se muzika shqiptare, pavarësisht cilit zhanër i takon, asnjëherë nuk ka qenë në krizë më të madhe sa sa në dekadat e fundit, por janë shumë këngë nga melosi ynë i pasur, të cilat janë ruajtur si xhevahir. E xhevahiri për aq sa bëhet i vjetër, po aq i rritet vlera dhe shkëlqimi…


Go to TOP