Kelmendi ironizon Kurtin: As me 500 mijë vota nuk ia doli të zgjedhë kryetaren e Kuvendit

Gazetari dhe analisti Adriatik Kelmendi ka komentuar me tone ironike dështimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur kryetaren e re të Kuvendit duke e cilësuar këtë si një tregues të qartë të mungesës së numrave të Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës.

“Edhe me 500 mijë vota, Albin Kurti nuk ia doli ta votojë kandidaten e tij për kryetare të Kuvendit. Veç 57 vota. Pak. Shumë pak,” ka shkruar Kelmendi në rrjete sociale duke iu referuar përpjekjeve të dështuara për të kaluar këtë votim.

Ai shton se gjithë përpjekjet për numërime, lëvizje të deputetëve dhe manovrime politike gjatë kësaj jave, kanë rezultuar në një “dëshpërim për mungesë numrash”.

“Ditë e re, nafakë e re. Në zgjedhjet e reja ndoshta i merr 500.004 vota. Pse jo! (Nejse, ajo 500k i ka mbetur ëndërr),” përfundon Kelmendi me sarkazëm.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur tensionet politike në Kuvend janë në rritje dhe situata mbetet e paqartë për hapat e ardhshëm institucionalë. /Kosova.info/


Go to TOP