KDI monitoron 226 seanca gjyqësore, Rezniqi: Identifikon vonesa
Arrita Rrezniqi nga KDI tha se monitorimi i seancave gjyqësore ka nxjerrë në pah sfidat kryesore në efikasitetin e gjyqësorit, si shtyrjet për shkak të mungesës së përkthimeve dhe pjesëmarrjes së palëve, ndërsa përkthimi simultan po ndihmon në përmirësimin e transparencës.
Rrezniqi tha se përmes monitorimit të punës së gjyqësorit, arrijnë të identifikojnë sfidat më të mëdha brenda sistemit, të cilat më pas adresohen në bashkëpunim me institucionet përkatëse me synim forcimin dhe rritjen e efikasitetit të drejtësisë.
Ajo shtoi se, si pjesë e këtij sistemi, fokusi ka qenë monitorimi në 7-mujorin e seancave gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Special, kryesisht në rastet e krimeve të luftës, dhe gjithashtu në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Graçanicë, në Departamentin e Përgjithshëm – në Divizionin Penal dhe në Divizionin Civil.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe në të dy këto pjesë kemi bërë monitorimin e 226 seancave, ndërsa vetëm në Departamentin Special kanë qenë rreth 100 seanca, më saktësisht, 97 prej tyre i kemi monitoruar, ku pastaj kemi identifikuar se prej seancave të shtyra si kanë ndikuar në performancën në efikasitetin e gjyqësorit”, tha Rrezniqi në “InfoPlus”, në RTK.
Sipas saj, nga seancat e monitoruara në Departamentin Special, rreth 16% janë shtyrë për arsye të ndryshme, ndër të cilat më e shpeshta ka qenë vonesa ose mungesa në përkthimin e shkresave të lëndës, meqë këto raste përfshijnë komunitetin joshumicë. Ajo përmendi gjithashtu mungesën e avokatëve mbrojtës apo të palëve të dëmtuara si faktorë shtesë.
Rrezniqi u ndal edhe te çështja e përkthimit në seancat gjyqësore në Dhomat e Veçanta, duke theksuar se në disa raste përkthimi kërkon kohë, por së fundmi ka nisur të përdoret përkthimi simultan, që ndihmon në përshpejtimin e procesit dhe rrit transparencën për qytetarët.
