Katër edukatorë amerikanë theren me thikë në Kinë

Katër edukatorë amerikanë nga një universitet i vogël i Ajovës janë plagosur në një sulm me thikë në një park publik në provincën verilindore Xhilin të Kinës, njoftuan të martën zyrtarët amerikanë dhe kinezë.

Policia kineze tha se incidenti ndodhi pak para mesditës të hënën në një park në qytetin Xhilin dhe se i dyshuari, një vendës 55 vjeç, u arrestua në ditën e njëjtë.

“Cui u përplas në një të huaj derisa po ecte në Parkun Beishan, dhe pastaj i theri me thikë të huajin dhe tre të huaj të tjerë, si dhe një turist kinez i cili tentoi ta ndalte”, tha policia në Xhilin.

Policia theksoi se të plagosur nuk janë në rrezik për jetë. Ajo nuk dha hollësi për motivet e sulmuesit.

Ministria e Jashtme e Kinës tha të martën se ky ishte një “incident i izoluar” dhe se ai “nuk do të kenë ndikim në shkëmbimin e zakonshëm mes njerëzve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara”.

Ajo tha se do të vazhdojë të ndërmarrë masa efektive për të garantuar sigurinë e të huajve në Kinë.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja është e vetëdijshme për raportimet për një “incident me thikë” në Xhilin, Kinë, dhe se po e vëzhgon situatën.

Edukatorët nga Kolegji Cornell në Ajova ishin në Kinë si pjesë e programit të shkëmbimit arsimor me universitetin partner Beihua në Xhilin.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, u zotua këtë vit se do t’i ftojë në Kinë 50.000 të rinj amerikanë për programe studimore për t’i përforcuar marrëdhënies mes popujve. Megjithatë, një paralajmërim i shkallës së tretë i Departamentit të Shtetit për arrestime të mundshme arbitrare dhe ndalim të largimit nga vendi gjatë udhëtimit në Kinë, ende është aktiv.

Go to TOP