Katari apelon për armëpushim në Gaza pas `përgjigjes pozitive` nga Hamasi

Një ndërmjetës kyç të martën theksoi urgjencën për të ndërmjetësuar një armëpushim në Gaza, pasi Hamasi tregoi një “përgjigje pozitive” ndaj një propozimi, por Izraeli ende nuk është shprehur, ndërsa ushtria e tij po përgatitet për një ofensivë në disa nga zonat më të populluara të territorit.

Mundësia e një sulmi të zgjeruar mbi zonat ku strehohen qindra mijëra civilë ka shkaktuar reagime brenda Izraelit dhe jashtë tij. Shumica e palestinezëve, të lodhur nga lufta, nuk shohin asnjë vend të sigurt në Gaza, madje as zonat e shpallura humanitare pas 22 muajsh lufte, raporton AP.

Shumë izraelitë, të cilët dolën në protesta me qindra mijëra të dielën, kanë frikë se ofensiva do të rrezikojë më tej pengjet e mbetura në Gaza. Mendohet se vetëm 20 nga 50 të mbeturit janë ende gjallë.

“Nëse ky propozim për armëpushim dështon, kriza do të përkeqësohet,” u tha gazetarëve Majed al-Ansari, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit, duke shtuar se ata ende nuk kanë marrë përgjigje nga Izraeli.


Go to TOP