ShSKUK siguron: Pacientet obstetrike nuk detyrohen të blejnë barna, oksitocina mbulon trajtimin

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar të gjitha pacientet që marrin shërbime obstetrike se nuk kanë arsye për shqetësim, pasi asnjë paciente e hospitalizuar nuk detyrohet të blejë vetë barnat që parandalojnë gjakderdhjen.

Në njoftim sqarohet se, përkundër mungesës së produktit metilergometrinë, trajtimi nuk rrezikohet, pasi përdoret oksitocina, e cila sipas standardeve mjekësore ka efekt të njëjtë dhe siguron mbulimin e plotë të nevojave terapeutike. ShSKUK thekson se disponon oksitocinë në sasi të mjaftueshme për të gjitha rastet.

Edhe pse është hapur procedurë e rregullt e prokurimit për metilergometrinë, deri tani nuk ka pasur ofertues, njofton ShSKUK.

“Rikujtojmë se oksitocina që përdoret në ShSKUK mbulon plotësisht trajtimin mjekësor në rastet e gjakderdhjeve, prandaj nuk ka arsye për shqetësim apo panik te pacientet,” thuhet në njoftimin e këtij institucioni shëndetësor. /Kosova.info/


Go to TOP