Kastrati: Deputetët e Kuvendit me “asistentë familjarë”-1 milion euro në vit nga buxheti për poste pa efekt

Gazetari Zejdush Kastrati ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si deputetët e Kuvendit të Kosovës po e shfrytëzojnë institucionin për punësime familjare duke e quajtur këtë praktikë “abuzim me letra”.

Sipas tij, pothuajse të gjithë 120 deputetët e kësaj legjislature kanë të punësuar nga një asistent/e–koordinator/e, me pagë që varion nga 650 deri në 850 euro në muaj, pa përfshirë shpenzimet shtesë. Në përshkrimin zyrtar të punës, këta persona duhet të ofrojnë ndihmë profesionale e teknike për deputetët gjatë seancave dhe punës në komisione.

Megjithatë, Kastrati thekson se shumica e këtyre asistentëve nuk janë përzgjedhur për profesionalizëm apo përvojë në fushën e parlamentarizmit. Përkundrazi, ata janë shpesh të afërm të deputetëve ose familjarë e miq të figurave publike, të punësuar përmes marrëveshjeve të fshehta mes deputetëve. “Nipa, mbesa, kushërira, balldeska, vajza e djem të shokëve e jaranëve janë ata që zënë këto pozita”, shprehet gazetari.

Sipas një parallogarie të tij, vetëm gjatë një muaji këta asistentë i kushtojnë buxhetit të Kosovës mbi 70 mijë euro, ndërsa brenda një viti shpenzimet arrijnë mbi 1 milion euro. Por, pyet Kastrati, cilat janë përfitimet reale? Rezultatet e legjislaturës së kaluar janë cilësuar ndër më të dobëtat pas luftës, ndërsa edhe kjo e tanishmja është e pa konsoliduar dhe zhgënjyese.

“Me paratë publike, abuzuesit më të mëdhenj po na dalin pikërisht ata që duhet të ishin shembull i transparencës dhe llogaridhënies. ‘Hajnat në burg’ doli vetëm një slogan mbulues, ndërsa në realitet u shndërrua në demagogji dhe legalizim të plaçkitjes me letra”, përfundon Kastrati. /Kosova.info/


Go to TOP