Kastrati akuzon Krasniqin për bllokimin e votave: Më luftuan për të mbrojtur koalicionin me Kurtin
Ish-deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve duke akuzuar kryetarin e partisë, Memli Krasniqi, se i ka bllokuar votat për shkak të kundërshtimit të tij ndaj një koalicioni të mundshëm PDK-VV.
Në një postim publik, Kastrati pretendon se “bandat e Memlit” kanë ndikuar në strukturat e PDK-së për ta penguar që të sigurojë një tjetër mandat në Kuvend. Ai thekson se ka qenë një nga zërat më të fortë kundër Albin Kurtit dhe se për këtë arsye ka pasur më pak vota në krahasim me disa kandidatë të panjohur.
“Kam kundërshtuar çdo tentativë për koalicion me VV-në dhe i kam thënë Memlit që, nëse e bën këtë, do ta denoncoj publikisht. Prandaj, më luftuan brenda partisë sime,” shkruan Kastrati duke shtuar se ndjen “krenari” për faktin se ka arritur të pengojë një bashkëpunim mes PDK-së dhe VV-së.
Ai gjithashtu e quan Memli Krasniqin “kryetarin më të dobët që PDK mund ta ketë në 2000 vitet e ardhshme” dhe vlerëson se pa Bedri Hamzën, partia do të kishte pësuar një humbje edhe më të madhe.
Në fund të postimit të tij, Kastrati thotë se po largohet për pushime në skijim, duke lënë të hapur mundësinë për më shumë komente në ditët në vijim. /Kosova.info/
